Policia e Kosovës të mërkurën ka ndërmarrë një aksion për mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.
Zëdhënësi i Policisë për veriun, Veton Elshani, shprehet se institucioni paralel dyshohet se ka funksionuar si zyrë tatimore e Ministrisë së Financave të Serbisë.
“Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me prokurorë, njerëzit që janë hasur aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve”, theksoi Elshani.
Ky rast shton ai do të hetohet për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”. Aktualisht nuk ka persona të arrestuar për këtë rast, ndërsa hetimet vijojnë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ky institucion paralel ka mbledhur ilegalisht mjetet financiare nga qytetarë e subjekte, që jetojnë e veprojnë në Kosovë.
“Mbyllet edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicën Veriore. Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona. Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin”, thuhet në mesazhin e ministrit të Brendshëm.
Ky nuk është rasti i parë që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksione të tilla në pjesën e veriut për të goditur institucionet ilegale paralele serbe.