Pasditen e kësaj të mërkure, familjarët e ish-zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të AKSHI-t, Daniel Shima, kanë denoncuar në Komisariatin nr. 1 humbjen e kontakteve me të.
Ata kanë deklaruar në Polici se Shima u ka dërguar një mesazh duke i njoftuar se po e arrestonin, por pas këtij momenti nuk kanë mundur të komunikojnë më me të.
Denoncimin në Polici për humbjen e Shimës e ka bërë nëna e tij.
“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Sh., e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin D. Sh., 34 vjeç. Shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për gjetjen e tij“, njofton policia.
Më herët, Shima është thirrur për t’u pyetur në SPAK në lidhje me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).