Po Erion Veliajt, ia hëngrën fiqtë pas shpine?

Tre nga ish-drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, janë në qeli me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Mariglen Qato, ish-drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit; Redi Molla, ish-drejtor i Ujësjellës kanalizime Tiranë dhe Taulant Tushe, ish-drejtori i Punëve Publike në bashkinë e Tiranës.

Dy të parët u arrestuan pak ditë më parë dhe akuzohen si pronarë “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion”, të cilën e zotëronin në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë. Sipas SPAK, kjo kompani ka përfituar tendera nga Bashkia Tiranë, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin.

Ndërsa Taulant Tushe, i cili dyshohet se është pjesë e kësaj kompanie, ndodhet në burg për shkak se është i përfshirë në aferën e inceneratorëve për inceneratorin e Tiranës, të cilin SPAK e ka sekuestruar.

Deri më tani Prokuroria e Posaçme nuk ka nxjerrë asnjë të dhënë që implikon edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, pavarësisht se edhe ai ka firmosur për tenderat që i janë dhënë kompanisë së 3 drejtorëve të tij.

Nuk dihet nëse SPAK po heton edhe për përfshirjen e kryebashkiakut, ndërkohë që ky i fundit iu nënshtrua edhe një ndërhyrje kirurgjikale dhe ende nuk ka komentuar arrestimet e drejtorëve të tij të besuar.

Por, a ishte në dijeni kryebashkiaku Erion Veliaj për këtë kompani, apo ia hëngrën fiqtë pas shpine?

E kemi dëgjuar shpesh kryeministrin Rama të thotë se “i kanë ngrënë dardha pas shpine”, ndaj nuk dihet nëse edhe Veliajt i kanë ngrënë frutat pas shpine, në këtë rast fiqtë, duke pasur parasysh edhe punën që ai ka thënë se ka bërë i vogël, shitës fiqsh.

Hetimet për 5D Construction

SPAK ka provuar se nga periudha 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a. Gjithashtu, nga viti 2016-2018, kur Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 procedura prokurimi.  

Nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Ndërkohë Taulant Tushe, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar kompanisë së Mollës e Qatos privilegje të padrejta duke e shpallur fituese të tenderave