Planifikoi dhe vrau Fatbardh Licin si hakmarrje për vrasjen e shokut të tij, Safet Bajri del nesër para GJKKO për masën e sigurisë

Safet Bajri, i arrestuar një ditë më parë me urdhër të SPAK do të dalë nesër para gjykatës lidhur me akuzën se bashkë me Behar Bajrin e Astmer Bilalin planifikuan dhe vranë Fatbardh Licin në vitin 2018.

Sipas SPAK, vrasja e xhaxhait të Ibrahim Licit, erdhi si hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij Silvi Ndoci. Skena e krimit tronditës në korrik të 2018-ës ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar.

Ish-polici Bërçana dyshohej se ishte pjesë e grupit të tyre dhe sipas SPAK, Behar Bajri i atribuon vrasjen e Boran Berçanës, Ibrahim Licit.

Safet Bajri fillimisht u shoqërua në Policinë e Shkodrës dhe prej andej u transferua në Tiranë, i shoqëruar nga Forcat RENEA.

Pasi u soll në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ai u dërgua në paraburgim. Kujtojmë se pak ditë më parë, Safet Bajri në emisionin “Top Story” tha se nuk kishte asnjë problem me familjen Lici dhe mohoi të jetë përfshirë në fushata elektorale.

Banesa e Bajrit u kontrollua tre ditë më parë nga forcat RENEA lidhur me masakrën e Dobraçit, ku u vra vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët u gjetën rastësisht në vendin e krimit.