Plani ambicioz i Italisë për të përmbushur objektivin e NATO-s: Një urë 13.5 miliardë euro për në Siçili

Përballë një objektivi të ri sfidues të NATO-s për shpenzime ushtarake, politikanët italianë po propozojnë që ura prej 13.5 miliardë eurosh drejt Siçilisë, një projekt i shumëdiskutuar prej dekadash, të kategorizohet si shpenzim ushtarak.

Italia është ndër vendet që shpenzon më pak për mbrojtje brenda aleancës, duke i dedikuar vetëm 1.49 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto sektorit ushtarak vitin e kaluar. Kjo e bën objektivin e ri të NATO-s prej 5 përqind deri në vitin 2035 të duket i paarritshëm.

Këtu hyn në lojë ura.

Qeveria e Giorgia Melonit po synon të avancojë me këtë projekt “faraonik” për të ndërtuar urën më të gjatë në botë që do të lidhte ngushticën e Mesinës, një ëndërr që ka lindur që nga koha e Romakëve, e ndarë edhe nga Benito Mussolini e më vonë Silvio Berlusconi.

Si Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, ashtu edhe Ministri i Infrastrukturës Matteo Salvini, që janë edhe zëvendëskryeministra, po theksojnë vlerën strategjike që kjo urë do të kishte për NATO-n, përtej rolit të saj ekonomik, një pikë që u theksua edhe në një raport qeveritar në prill.

Një zyrtar qeveritar tha se ende nuk është marrë një vendim zyrtar për klasifikimin e urës si projekt sigurie, por theksoi se do të ketë diskutime të mëtejshme “për të parë sa e realizueshme është kjo ide”. Për Melonin, kjo mund të jetë një mënyrë e përshtatshme politike për të bindur një publik skeptik ndaj luftës mbi nevojën për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, në një kohë kur Italia po i afrohet masave shtrënguese.

Ka argumente konkrete mbi të cilat Italia mund të ndërtojë këtë rast: nga 5 përqindëshi i kërkuar nga NATO, vetëm 3.5 përqind duhet të jetë shpenzim direkt për mbrojtje, ndërsa 1.5 përqind mund të shkojë për qëndrueshmëri strategjike më të gjerë, siç është infrastruktura.

Një zyrtar i Ministrisë së Financave sugjeroi gjithashtu se etiketimi i urës si projekt ushtarak mund të ndihmojë qeverinë të kapërcejë pengesat ekonomike dhe teknike që e kanë ndaluar ndërtimin e saj në të kaluarën.

Për dekada me radhë, përpjekjet për ndërtimin e kësaj ure me një gjatësi të projektuar të hapësirës qëndrore prej 3.3 kilometrash janë përballur me kosto të larta, sfida sizmike dhe kundërshtime nga komunitetet lokale që mund të preken.

Sipas zyrtarit të Thesarit, klasifikimi i ri do të “anashkalonte pengesat burokratike dhe paditë nga autoritetet lokale që mund të pretendojnë se ura do të dëmtonte padrejtësisht tokat e tyre.” Gjithashtu do të “lehtësonte mbledhjen e fondeve, veçanërisht gjatë vitit të ardhshëm.”

Urgjencë apo absurditet?

Në prill, qeveria italiane miratoi një dokument që deklaronte se ura duhet të ndërtohet për “arsye të ngutshme me interes publik madhor.”

Përveç përdorimit civil, “ura mbi ngushticën e Mesinës ka gjithashtu rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, aq sa do të luajë një rol kyç në mbrojtje dhe siguri, duke lehtësuar lëvizjen e forcave të armatosura italiane dhe aleatëve të NATO-s,” thuhet në dokument.

Italia ka kërkuar gjithashtu që projekti të përfshihet në planin e financimit të BE-së për lëvizshmërinë ushtarake të personelit, pajisjeve dhe mjeteve, pasi “përputhet në mënyrë të përsosur me këtë strategji, duke ofruar infrastrukturë kyçe për transferimin e forcave të NATO-s nga Evropa Veriore drejt Mesdheut.”

Qeveria shtoi se ura “përfaqëson një avantazh për mobilitetin ushtarak, duke mundësuar transport të shpejtë të automjeteve të rënda, trupave dhe burimeve si rrugës ashtu edhe hekurudhës.”

Nëse NATO dhe më e rëndësishmja, presidenti amerikan Donald Trump, i njohur për pasionin ndaj projekteve gjigante ndërtimi do të mbështesë këtë logjikë, është çështje tjetër.

Zyrtarisht, ngushtica e Mesinës ndodhet jashtë korridorit të vetëm të përcaktuar nga NATO për lëvizshmëri ushtarake në Itali që fillon në portet e rajonit të Pulias, kalon përmes Adriatikut në Shqipëri dhe vazhdon drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Nuk është e qartë nëse kjo ngushticë përfshihet në rrjetin e vet të BE-së për mobilitetin ushtarak.

Amerikanët për momentin nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim zyrtar. Kur u pyetën për urën në samitin e NATO-s në Hagë në fund të qershorit, ndihmësit amerikanë qeshën, por nuk dhanë asnjë përgjigje.

Ura e Berlusconit

Ministri i Jashtëm Tajani është një nga mbështetësit më të zëshëm të projektit. “Do t’u shpjegojmë italianëve se siguria është një koncept më i gjerë se thjesht tanket,” tha ai në një intervistë të fundit për gazetën ekonomike Milano Finanza.

“Për këtë arsye, do të fokusohemi në infrastrukturë që ka edhe përdorim civil, si ura mbi Ngushticën e Mesinës, e cila përfshihet në konceptin e mbrojtjes pasi Siçilia është një platformë strategjike për NATO-n,” shtoi ai.

Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës, Matteo Salvini gjithashtu zëvendëskryeministër e sheh urën si një mundësi për ta transformuar partinë e tij Liga e Veriut nga një lëvizje rajonale në një forcë politike kombëtare që investon edhe në jug të vendit.

“Sigurisht,” u përgjigj ai kur u pyet nëse ura mund ta ndihmojë Italinë të arrijë objektivin e ri të NATO-s. “Infrastruktura është strategjike edhe nga këndvështrimi i sigurisë, ndaj nëse investojmë më shumë në siguri, atëherë edhe disa projekte strategjike infrastrukturore do të përfshihen në këtë plan.”

Sipas një zyrtari të Thesarit dhe një deputeti të njohur me zhvillimet e brendshme, Salvini po shtyn fuqishëm për ta përshpejtuar procesin.

“Matteo po ushtron shumë presion për të marrë një lloj ‘miratimi’ për projektin, si në nivel teknik ashtu edhe politik, në mënyrë që t’u tregojë qytetarëve se po bëhet diçka,” tha zyrtari.

Kundërshtimi i opozitës

Partitë opozitare janë kundër ndërtimit të urës dhe sidomos klasifikimit të saj si shpenzim ushtarak.

“Kjo është një tallje me qytetarët dhe me angazhimet ndaj NATO-s. Dyshoj se ky blof i qeverisë do të pranohet,” tha eurodeputeti Giuseppe Antoci nga Lëvizja 5 Yjet.

“Qeveria duhet të ndalet dhe të shmangë bërjen e një figure qesharake ndërkombëtare që do të turpëronte Italinë,” shtoi ai.

Një tjetër argument kundër është se ura do të lidhte dy nga rajonet më të varfra të Italisë, të cilat vuajnë nga mungesa e infrastrukturës bazë. Shumë mendojnë se investimi në rrugë dhe hekurudha lokale është më urgjent.

“Popullata e Siçilisë dhe Kalabrisë vuan nga mungesa e ujit, transporti i ngadaltë, rrugët me gropa dhe spitale në kushte të mjerueshme. Prandaj ura mbi ngushticë nuk mund të jetë prioritet,” theksoi Antoci.

Por koalicioni qeverisës është i vendosur të ecë përpara. Të martën, Salvini deklaroi se miratimi përfundimtar i projektit pritet në muajin korrik.

Në një sinjal të diskutueshëm, Tajani ka propozuar që ura të marrë emrin e Berlusconit, ish-kryeministrit të njohur për skandalet “bunga bunga” dhe betejat e pafundme ligjore./Politico.com

Përktheu dhe redaktoi në shqip, Media Ditari