Plagosja e 28 vjeçarit në Korçë, Gjykata liron 4 të arrestuarit

Katër personat e arrestuar pas plagosjes së 28 vjeçarit Ari Kodra janë paraqitur sot para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Gjykata e Korçës ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për tre prej të arrestuarve, konkretisht Isuf Dalipin, Dhimitër Kodrën dhe Bilal Shkëmbin. Ndërsa për Thanas Paskalin është vendosur që të hetohet në gjendje të lirë.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konkluduar se Aleks Qiqi u plagos lehtë nga katër të arrestuarit, pak pasi sulmoi dhe goditi me thikë Ari Kodrën, që mori plagë në shpatull dhe shumë pranë zemrës. Këta të fundit akuzohen se pasi Qiqi plagosi me thikë 28 vjeçarin Ari Kodra, reaguan duke e goditur.

Sa i përket masës së autorit të plagosjes, mësohet se ajo do të zhvillohet në ambientet e spitalit rajonal të Korçës, për shkak se autori është duke marrë ende ndihmë mjekësore.