Pjesë e një grupi kriminal/ Pranga të riut në Lezhë, pritet të ekstradohet drejt Italisë

Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi ishte në kërkim si pjesëtar i një grupi kriminal, i cili merrej me trafik droge në Itali.

Sipas policisë, i arrestuari është identifikuar si Klinder Luka. Gjatë operacionit “SACRIPANTE”, u vunë në pranga në Itali, 10 shtetas, të akuzuar për shpërndarje e trafik droge.

Aktualisht Interpol Tirana ka nisur punën për ekstradimin në Itali, të shtetasit të arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera në koordinim me partnerët italianë, në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar nga Prokuroria e Venecias, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Lezhë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë Italiane dhe me Karabinierinë e Venecias, zhvilloi në Shqipëri, operacionin ndërkombëtar antidrogë, të koduar “SACRIPANTE.AL”.

Gjatë operacionit u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar Klinder Luka, 24 vjeç. Gjykata e Venecias ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi dyshime për kryerje të veprave penale në fushën e narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, sipas parashikimeve të neneve 81, 110 dhe 73 të Kodit Penal italian. Gjatë operacionit “SACRIPANTE”, u vunë në pranga në Itali, 10 shtetas. Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për ekstradimin në Itali, të shtetasit të arrestuar.