Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë vizitës në Spanjë u pyet nëse po dështon marrëveshja me Italinë për emigrantët, duke marrë parasysh faktin se tre anije me refugjatë pasi erdhën në Shqipëri u rikthyen sërish drejt Italisë pas vendimit të gjykatave, të cilat goditën direkt planin e kryeministres italiane Georgia Meloni për dëbimin e emigrantëve, që preknin brigjet italiane.
Ai tha se përgjigjen rreth dështimit apo jo të marrëveshjes për emigrantët duhet t’ia kërkoni kryeministres së Italisë.
Sipas Ramës, roli i Shqipërisë në këtë marrëveshje është shumë i thjeshtë, duke theksuar “se i është kërkuar nga Italia për ta ndihmuar”.
Kreu i qeverisë theksoi se çdo gjë që ndodh me këtë marrëveshje duhet pyetur pala italiane, pasi është një operacion 100% nën vëzhgimin italian.
“Nuk kam asnjë mendim për këtë. Pyetje duhet ti drejtohet Melonit. Për ne të qenit pjesë e kësaj marrëveshje është një rol i thjeshtë. Na u kërkuar nga Italia të ndihmojmë dhe kur Italia kërkon ne ndihmojmë gjithmonë sepse marrëdhënia jonë është mijëvjecare. Ne i detyrohemi shumë Italisë, sidomos për atë cka Italia ka bërë pas rënies së komunizmit. Na ka ndihmuar shumë në momente tejet dramatike. Kur patëm tërmetin shkatërrues trupat italiane të emergjencave civile erdhën dhe rrezikuan jetën e tyre për shpëtuar njerëzit nga rrënojat. Kështu që ata na i kërkuan këtë dhe ne e ndihmuam. Sic mendoj cdo vend evropian, cdo komb evropian duhet të ndihmojë tjetrin. Është një operacion që është 100% nën vëzhgimin italian. Qendrat kanë tipare ekstra territoriale. Pra gjithçka është italiane dhe duhet ta pyesni palën italiane jo ne”, tha Rama.
I pyetur nëse Shqipëria do të pranonte të bënte të njëjtën marrëveshje edhe me Spanjën, pasi Shqipëria të anëtarësohej në Bashkimin Evropian BE, Rama tha se:
“Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet po kështu shumë me gjeografinë. Në qoftëse e keni idenë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, ne jemi njerëzit thonë të ndarë por unë them jemi të bashkuar nga deti me Italinë dhe e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se migrantët nuk ndalojnë në Itali sepse po të ndalojnë në Itali hyjnë në territorin e Bashkimit Europian dhe vihen në lëvizje procedura të tëra, por ata ndalojnë në Shqipëri dhe sa e bëshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri, nuk e shoh këtë gjë të mundshme dhe nuk mendoj që në fund të fundit kjo është zgjidhja përfundimtare e krizës kufitare europiane dhe të krizës së emigracionit, sepse Europa besoj deri më tani gjendet në një pozicion të vështirë. Nga njëra anë, i duhet të merret me shumë emigracion të paligjshëm dhe me një porozitet shumë shqetësues të kufijve të vet dhe nga ana tjetër i duhet që të përballet me një rënie demografike dramatike” tha ai.