Përsëritet rasti “Xhaçka”/ PS merr në mbrojtje Vullnet Sinajn, refuzon dërgimin e mandatit të tij në Gjykatën Kushtetuese


Në seancën e së enjtes, e cila zgjati deri në mesnatë, Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj. 

Projektvendimi për “Për dërgimin e mocionit në gjykatën kushtetuese”, për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj u hodh shpejt poshtë.

Kur vjen puna për të mbrojtur deputetë dhe ministra nga “filtri” i Gjykatës Kushtetuese, Partia Socialiste e ka dëshmuar se di të veprojë shumë mirë dhe t’u dalë në mbrojtje figurave të saj, edhe pse akte të tilla bien qartësisht ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Ky projektvendim u bllokua me 61 vota kundër, 12 abstenim dhe asnjë pro. Këtë simpati Partia Socialiste e ka shprehur dhe për ish-ministren e Mbrojtes Olta Xhaçka, të cilën nuk e dorëzoi në Kushtetuese.

Sakaq, 14 deputetë të opozitës, kishin dorëzuar në Kuvend mocionin ku kërkonin konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. Partia Demokratike e akuzon Sinajn se ka përfituar para publike me bizneset e tij.

Në mocionin e bërë nga PD, theksohej se deputeti soacialist Vullnet Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike.

Në një votim të paprecedentë mazhoranca socialiste votoi në prill kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i kërkonte që të dërgonte për interpretim në këtë gjykatë mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, bashkëshorti i së cilës Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.

Gjykata Kushtetuese e cilësoi këtë votim anti-kushtetues dhe vendosi që të “detyrojë” Kuvendin që të rivotojë “pa vonesë” për dërgimin e mandatit të Xhaçkës për interpretim pranë këtij organi.

Pavarësisht kësaj, Partia Socialiste tregoi sërish arrogancën dhe mospërfilljen e saj karshi urdhrit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo vendosi t’i drejtohet Komisionit të Venecias, të cilit i shtroi disa pyetje, por kjo lëvizje ngjau më tepër si një strategji e PS për të fituar kohë.

Në përgjigjen e tij, Komisioni i Venecias ritheksoi normën e padiskutueshme se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen.

“Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizuese për kompetencat vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të miratojë vendimin në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë mbi çështjen e kufizuar, ashtu siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në konkluzionet e Komisionit të Venecias.

Pas vendimti të Venecias, Partia Socialiste vijoi sërish me interpretimin e saj duke pretenduar se deputetët e Kuvendit nuk mund të orientohen për mënyrën se si duhet votuar, duke mbrojtur kështu përfundimisht mandatin e deputetës Olta Xhaçka.

Xhaçka u akuzua nga opozita se gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministres së Jashtme, Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie, hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.