Përplasje te Komisioni i Ekonomisë, Shehaj: Lekët e fermerëve i vodhët te tuneli i Llogarasë! Vini këtu e bëni teatër

Mbledhja e sotme e Komisionit të ekonomisë është shoqëruar me përplasje mes deputetëve Agron Shehaj dhe Erion Braçe.

Kreu i Partisë Mundësia ka akuzuar socialistët se bëjnë teatër kurflasin për fermerët dhe ndihmën ndaj tyre, pasi 50 milionë euro që mund të jepeshin për ta, u vodhën te afera e tunelit të Llogarasë.

“Nuk e kuptoj pse i bëjmë gjërat e vështira kot. Pse kushton më pak të importosh produktin jashtë? Sepse shtetet e tjera subvencionojnë fermerët. U japin para, nuk e kanë fajin ata.

Këtu paratë vidhen. Nëse 190 milionë euro nuk do ishin harxhuar, por do të ishin shpenzuar 150 për tunelin e Llogarasë, 50 milionë euro do të kishit mundësi t’ua jepnit fermerëve. Dhe këtu bëhet fjalë për vetëm një tender. Paratë që mund t’u shkojnë fermerëve ju si mazhorancë i vidhni, mos bëni teatër. Diskutime të tilla bëjini në grupin parlamentar të PS”, tha Shehaj.

Fjalët e Shehajt nuk i pëlqyen Braçes, i cili përplasi dorën në tavolinë dhe i tha Shehajt se nuk mund t’i fyente të gjithë.

Më pas ndërhyri kryetarja e Komisionit, Milva Ekonomi, e cila ndërpreu mbledhjen për 5 minuta, për të rifilluar sërish.