Seanca plenare në Kuvend ditën e sotme ka nisur me debate, brohorima dhe përplasje mes palëve. Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi kërkoi të ndryshohej rendi i ditës dhe të miratohej kërkesa e SPAK për t’i hequr mandatin Arben Ahmetajt.
Bardhi kërkoi të pezullohet seanca ndërsa kërkoi ardhjen e kryeministrit Rama në Kuvend për të dhënë llogari për çështjen Rraja dhe për Ahmetajn.
“Është një aferë e qeverisë së Edi Ramës. Duhet të vijë në seancë dhe të japë llogari për të dyja çështjet. Është i vetmi që nuk ka folur ende për asnjërën nga dy ngjarjet e rënda. Pezulloni seancën dhe njoftojeni. Nuk besoj se ka punë më të rëndësishme se të japë llogari për një aferë 430 mln euro dhe për një aferë tjetër që kishte shpallur një zonë shumë pak kilometra larg Tiranës si zonë në urdhrat e një fisi të deputetit të tij. Kushte vetëm një familje që urdhëronte për shkak të pushtetit që i ka dhënë Edi Rama”, deklaroi Bardhi.
Kërkesa e tij u kundërshtua nga deputetja e PS, Klotilda Bushka e cila e quajti çështjen jopolitike.
Po ashtu Elisa Spiropali ka kundërshtuar duke thënë se “Edi Rama nuk vjen sepse nuk e përdor drejtësinë politikisht.
“Qetësohu, mos thuaj gjëra qesharake. Jeni mësuar me kryeministra që për drejtësinë kanë folur por vepruar. Rama nuk e përdor drejtësinë si armë, si hanxhar, por që institucionet të bëjnë punën e tyre duke besuar deri në fund se ata persona që i drejtojnë do përdorin profesionalizmin e tyre për të bërë drejtësi. Kemi bërë një ndarje njëherë e mirë për drejtësinë që shpall njerëzit fajtorë para se të akuzohen, por nuk i çon ku duhet vendi.Drejtësia të bëjë punën e tyre me profesionalizëm”, ka thënë ajo.