Përplasje mes Belinda Ballukut dhe Antoneta Dhimës në hapjen e fushatës së PS-së

Këngët dhe vallet nuk kanë qenë të vetmet që shoqëruan çeljen e fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste në sheshin “Skënderbej”, pasi mes socialistëve pati edhe debate të forta.

Burime për Ditar.al bëjnë me dije se ka patur një përplasje mes zv.kryeministres Belinda Balluku dhe deputetes së qarkut Fier, Antoneta Dhima.

Përplasja ka ndodhur gjatë momentin kur kandidatët e Fierit po bënin fotot, me Ballukun si regjisore që po i rregullonte vendet secilit prej tyre. Kjo vonesë për të bërë foto nuk i ka pëlqyer Antoneta Dhimës, që në një moment ka dalë nga rreshti duke thënë “Ik se nuk dal fare”.

Por fjalët e saj i ka dëgjuar edhe Balluku, që me një ton kërcënues i është drejtuar deputetes: “Hajde moj futu këtu, se s’ta kam ngenë për dënglat e tua”.

Pas fjalëve të Ballukut, Dhima është futur sërish në rresht për të dalë foto, por më pas është larguar menjëherë. Kujtojmë se Antoneta Dhima u la jashtë listave të mbyllura në qarkun e Fierit, pasi Balluku vendosi në listë të sigurt disa kandidatë të rinj. Beteja në listën e hapur të Fierit do të jetë e fortë, pasi burime për Ditar.al bëjnë me dije se vetë Balluku po punon fort për të xnjerrë deputetë dy nga njerëzit e saj të besuar, Ceno Klosin që e ka zv.ministër dhe Klevis Jahajn, drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve.