Avokati Sokol Mëngjesi i cili u dhunua 5 ditë më parë nga 4 persona, pak pasi la djalin e vogël në kopësht, do të tentohet të zgjohet gradualisht ditën e sotme.
Në skanerin që mjekët bënë sot, rezultoi se gjendja është e stabilizuar, ndërsa është vënë re një zvogëlim i edemës . Stafi mjekësor ka nisur uljen e medikamenteve që e mbajnë në gjumë, për të nisur tentativat për ta zgjuar nga koma, e cila është një proces që zgjat në kohë. Avokati shkoi në spital ndërkohë që ishte i ndërgjegjshëm por më pas gjendja e tij u rëndua papritur.
Për ngjarjen, dy persona janë arrestuar dhe tre autorët e tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Të arrestuar janë porositësi, Dritan Nano dhe njëri prej agresorëve, Dorian Alia. Ky i fundit ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano.
I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45-vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.
Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.Për këta dy persona, që janë vjehrri dhe dhëndi, gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg.