Është zbardhur raporti i plotë i Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve, pasi SPAK kërkon arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Pjesë e raportit janë edhe deklarimet e bëra nga prokurorët e SPAK në mbledhje, të cilët kanë treguar se si në emër të Ballukut janë kërcënuar dëshmitarë, në mënyrë që të ndryshojnë dëshmitë.
Një përgjim i datës 20 nëntor 2025 në orën 12:23 provon se një dëshmitare e dosjes së Ballukut ndihet e frikësuar nga personat që e kanë kontaktuar për të ndryshuar dëshminë e saj.
Ka qenë prokurori i SPAK, Dritan Prençi, i cili ka treguar se si një dëshmitare është ndjerë e frikësuar pasi është kontaktuar për të ndryshuar deklarimet e saj.
“Në përmbajtje të këtij transkriptimi rezultojnë të dhëna për intimidimin e personave….Ka përmbajtje, që zonja është e frikësuar, përmend edhe emrat se nga kush është frikësuar, emër zyrtari, por edhe persona të fortë në rang grupesh të tjera. Ajo përmend tundimin nëpërmjet korrupsionit që të ndryshojë thëniet apo edhe të zëvendësojë mbrojtësin e saj me një mbrojtës të pëlqyer nga personat që i vetëofrohen. Kjo është shumë e qartë në përmbajtje”.
Dritan Prenci – Atëherë, në përmbajtje të asaj çfarë ka prodhuar ky transkriptim i bisedave të përgjuara, bëhet fjalë për intimidim nga persona jozyrtarë. Aty përmendet “të fortë”, e përmend vetë zonja, pra persona jozyrtarë. Pastaj, nga personat zyrtarë bëhet fjalë për persona nga kabineti i ministrit, është e shkruar”, ka thënë Prençi.