Instituti i Statistikave ka njoftuar përfundimin e procesit të Censit të Popullsisë dhe Banesave në Shqipëri.
Duke falenderuar qytetarët, INSTAT ka theksuar se po vazhdon puna për verifikimin në terren të statusit të banesave dhe refuzimeve. Ky proces do të zgjasë deri më datë 24 nëntor.
Në njoftim, u bë me dije se INSTAT do të organizojë Anketën Pas Cens në 100 zona numërimi, në të gjithë vendin, sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Njoftimi:
Tiranë, më 16 Nëntor 2023:
Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton median dhe opinionin publik se procesi i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 ka përfunduar. Falenderojmë të gjithë qytetarët për përgjegjshmërinë e lartë për t’u bërë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm. Ju bëjmë me dije se stafi INSTAT po vazhdon punën për verifikimin në terren të statusit të banesave dhe refuzimeve, deri në datë 24 Nëntor. Për vlerësimin e cilësisë së procesit dhe mbulimin, prej datës 20 Nëntor – 20 Dhjetor 2023, INSTAT do të organizojë Anketën Pas Cens sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, në 100 Zona Numërimi, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit. Ky proces do të angazhojë 100 anketues dhe 25 kontrollorë të cilët do të trokasin përsëri në dyert e qytetarëve, në zonat e përzgjedhura. Ju bëjmë thirrje qytetarëve të lehtësojnë punën e stafit të INSTAT! Për më tepër informacion kontaktoni në numrin jeshil (0800 22 44) apo adresën zyrtare të INSTAT [email protected]. Të dhënat e mbledhura do të jenë konfidenciale dhe do t’u shërbejnë qytetarëve për shërbime dhe punë publike më të mira në të ardhmen!