Përkundër deklaratave të kryeministrit Edi Rama se SHBA ishte tërhequr nga mbështetja e SPAK, përfaqësues të OPDAT janë parë sot në Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe në Gjykatën Antikorrupsion.
Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Anila Hoxha, e cila thotë se përfaqësues të OPDAT kanë zhvilluar ditën e sotme takime në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) si dhe në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Kjo vizitë dëshmon mbështetjen e Amerikës ndaj SPAK, që ka qenë pre e sulmeve si nga opozita, por edhe nga mazhoranca.
Njëkohësisht rrëzon edhe deklaratat e kryeministrit, Edi Rama, i cili pak javë më parë deklaronte se SHBA ishte tërhequr nga SPAK.
“SPAK është një institucion i krijuar nga vullneti i PS. Amerika nuk është më, i kishte njerëzit e vet që asistonin njerëzit e SPAK, hynin e dilnin nga godina te Stacionin i Trenit, nuk është më, i ka tërhequr Amerika. Keni dëgjuar ndonjë deklaratë të ambasadës së SHBA? Janë institucione të reja që për 5 vjet kanë nevojë për kriticizëm. Kush e mbron SPAK? Amerika ka ndryshuar qasje, rrugë, filozofi për mënyrën si i qaset vendeve të tjera, është punë e saj, është punë e një superfuqie botërore. SPAK do jetë aty me mbështetjen e kësaj fuqie, që është PS. Ne jemi vullneti i shumicës së popullit shqiptar, që kërkon që SPAK të jetë aty”, tha Rama.