Ilir Meta në burg, tre fëmijët e kreut të PL nuk mungojnë në çeljen e fushatës së opozitës

Teksa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndodhet në burg, tre fëmijët e tij po marrin pjesë në nisjen e fushatës së organizuar nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Bora, Era dhe Besar Meta janë pozicionuar në pjesën e karrigeve përreth podiumit, ku pritet të mbajë fjalën kreu i PD, Sali Berisha.

Meta i cili ndodhet aktualisht në burg oër korrupsion, pastrim arash dhe fshehje pasurie iu ka bërë thirrje sot qytetarët të marrin pjesë masivisht në mitingun hapës të fushatës. Ndërkohë ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi kërkoi votën për Ilir Metën, i cili është në listën e hapur të PD për qarkun e Tiranës.

Postimi i Metës:

Asnjë izolim fizik sado ekstrem nga Narkoregjimi, nuk më ndal dhe nuk do të më ndalë në përballjen time për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e shqiptarëve nga dhuna e Narkoqeverisë, që ka zaptuar dhe plaçkit vendin.

Sonte vetëm fizikisht nuk do të jem në shesh, por me të gjithë fuqinë e kauzës, do të jem krah jush në Sheshin “Nënë Tereza”, në ora 19:00.

Sonte është fillimi i betejes finale për çlirimin e çdo shqiptari, sonte starton fushata fitimtare që do të kurorëzohet më 11 Maj me Fitoren Madhështore të Lirisë kundër Narkoregjimit të dorëzuar në duart e krimit dhe korrupsionit!

Sot të gjithë në shesh ku do gjëmojë zëri i qytetarëve për Shqipërinë Madhështore që meritojnë shqiptarët e ndershëm, punëtorë dhe patriotë.