PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend, por deputetët nuk shkojnë në seancë! Zvarritet zgjedhja e Avokatit të Popullit

Ka nisur këtë të hënë seanca e fundit plenare përpara zgjedhjeve të 11 Majit ndërsa ajo që vihet re është mungesa e deputetëve të opozitës.

Këta të fundit nuk janë paraqitur në seancë, edhe pse kishin bërë propozimin për ndryshimin e rendit të ditës dhe të përfshihej zgjedhja e Avokatit të Popullit, një proces që po zvarritet prej kohësh.

Ky propozim i tyre nuk u miratua, për arsye se deputetët e opozitës mungonin në sallë. Nuk dihet nëse mungesa e tyre lidhet me arsyen që kreu i PD, Sali Berisha ishte në SPAK për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”, apo me pakënaqësitë që kanë lindur në selinë blu, pas publikimit të listave me kandidatët për zgjedhjet e 11 Majit.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit kërkon një shumicë të cilësuar votash në Kuvend që e bën të detyrueshme një konsensus mes palëve dhe sipas traditës kandidati vjen si propozim i opozitës.

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit ka nisur që në mars të vitit 2022, kur mbaroi mandati i avokates në detyrë Erinda Ballanca.