Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka shpërthyer në akuza ndaj kreut të Kuvendit, Niko Peleshi pasi po pengon mbledhjen e Këshillit të Mandateve, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se Peleshi ka marrë peng Kuvendin dhe e ka kthyer këtë të fundit në një bunker, për interes të Ballukut.
Ndërkohë ai tha Belinda Balluku mund të kalojë në shtëpi Vitin e Ri, por nuk do t’i shpëtojë burgut.
“Se pari Peleshi na thotë; Balluku na ka kërkuar 3 javë kohë. Imagjinoni në një moment një person për të cilin kërkohet arresti të thotë; bëjeni shpejt se dua të iki në burg! Çdo person kërkon të zvarrisë procesin. Në rastin kur Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar që të japë një qëndrim mbi një çështje, nuk mund të mblidhet këshilli. Sot që flasim, prokuroria ka dokumentuar se ka vjedhur 1.1 mld euro. Është rënduar situata. Çështja që është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese është e ndryshme me atë të SPAK. Niko Peleshi mund të marrë peng Kuvendin, por s’ka për të ndodhur. E ka kthyer Kuvendin në bunker. Hap ligjor që të shpërthejmë derën dhe të marrim peng Niko Peleshin, këtë se bëjmë dot.
Por kërkojmë që të bëhet hetim i plotë për këtë çështje. I kanë dhënë urdhër Gardës që të mos vinë në zyrën e kreut të grupit parlamentar të PD-së. Kështu është kur në krye të Gardës është vënë një trafikant armësh. Mos u çudisni nëse në ndonjë nga zyrat e Kuvendit që mund të jetë mbyllur, mund të jetë strehuar Ergys Agasi. Vota për Ballukun u ndryshua pasi u dha vendimin, se gjykata Kushtetuese u mor peng. Belinda Balluku mund të hajë Vitin e Ri në shtëpi, por ju siguroj se do të përfundojë në burg. Ti vjedhësh shqiptarëve 1.1 mln euro nuk shpëton dot. Ne do të kërkojmë mbledhjen e Këshillit të Mandateve javës që vjen. Është detyrim. Nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin e Ballukut, Ramës dhe Agasit. Ndjej keqardhje që kryetari i Kuvendit, me urdhra politik të Ramës, thotë se do të mbledhë komisionin”, tha ai.