Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancës e nesërme plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, seanca është thirrur jashtë ditës normale të zhvillimit të saj dhe pa një rend dite të miratuar. Teksa e cilëson si një mbledhje për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit.
Bardhi hedh akuza duke thënë se Parlamenti është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Postimi i plotë:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në seancën plenare të ditës së martë, një seancë e paligjshme, e thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit, jashtë ditës normale të saj (e enjte) dhe me Rend Dite: miratim procesverbali dhe njoftime.
Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit.
Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik.
Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve.
Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit. Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve.