PD bojkoton emisionet nëse s’kanë përballë kundërshtarët

Partia Demokratike ka vendosur që të mos marrë pjesë në debatet televizive, nëse përballë nuk do të kenë kundërshtarët e tyre të majtë.

Ky ka qenë vendimi, i cili është bërë publik sot nga kryedemokrati Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.

Në këtë mënyrë, deputetët dhe funksionarët e lartë të kësaj force politike nuk do të dalin më në panele televizive nëse s’kanë përballë kolegët e tyre nga PS. Ndër të tjera, Berisha tha se përfaqësuesit e PD do dalin në media vetëm kur të jetë edhe kundërshtari përballë.

“Ndaj të dashur miq, ne jemi të hapur plotësisht për debate në studio televizive, me të vetmin arsye, të sillni kundërshtarin. Nuk kemi kohë ne të merremi me avoketër të qeverisë, të cilët kanë me borxh të mashtrojnë, të trillojnë në mënyrë të papërgjegjshme çdo gjë në studio. Sepse keni një defekt shumë të madh, nuk bëni kontroll faktesh.

Shkon ti aty, del ai para teje, deklaron 10 gjëra të pavërteta dhe hajde gjeje ti. Një televizion serioz fill mbrapa bën një kontroll faktesh dhe thotë se këto janë gënjeshtra.

Ky është efekti më i tmerrshëm i censurës, thotë Hannah Arendt, kur pikërisht kur e çon njeriun tek pikëpyetja e madhe se çfarë të besojnë. Ku të besojnë.

Ky është suksesi më i madh i atyre që ushtrojnë censurën.

Po, iu ftojnë për intervistë tek a tek, si të doni. Ama, t’i shërbejmë ne platformës së censurës, platformës që mashtrimit që del nga zyrat e Endri Fugës, që ia ka mbathur që kur u kap se në restorantin e tij kalonin paratë e taksapaguesve shqiptarë, ajo nuk mund të ndodhë më”- u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.