Paul Heggarty: Gjuha shqipe po ndryshon shpejt

“Gjuha shqipe është kaq e dallueshme pasi është monogjuhë. Të gjitha këto gjuhë janë të tilla. Por, cili është dallimi me trungun e gjuhës shqipe? Këto metoda dhe kjo çfarë shihni janë përplot rezultate. Ky trung i gjuhës shqipe po ndryshon shpejt. Ky ndryshim me gjuhën shqipe është i pazakontë. Këto janë të dhëna nga databaza jonë”, ka thënë historiani i gjuhëve Paul Heggarty, derisa u është referuar të dhënave dhe grafikave në prezantimin e tij, në ditën e dytë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Studimi i historianit të shquar të gjuhëve, Paul Heggarty, ka sjellë fakte interesante për gjuhën shqipe, ndryshimet që ajo ka pësuar, ngjashmëritë dhe dallimet me gjuhë të tjera indoevropiane, atë se a i kanoset rrezikut të zhdukjes si gjuhë dhe jo vetëm. Ka konstatuar se nuk mund të krahasohet me ilirishten a të thuhet se shqipja është pasardhëse e saj pasi ka vlerësuar se nuk ka mjaftueshëm të dhëna në këtë drejtim. Heggarty është një prej ligjëruesve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. 

Në sallën “Idriz Ajeti”, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, hapësirë që mban emrin e një prej themeluesve të Seminarit, gjuha shqipe ka qenë një prej temave të ligjëratës së tij. “A new database, family tree and origins hypothesis for the indo-european language family: What place for albanian” (Baza e re e të dhënave, pema e familjes dhe hipoteza e origjinës së familjes së gjuhëve indoevropiane: Cili është vendi i shqipes). 

Hulumtimi i autorit Heggarty midis tjerash trajton edhe gjuhën shqipe, kishte bërë bujë të madhe në qarqet shkencore botërore. Ligjërata e tij ka qenë e bazuar në databazën e themeluar prej tij “IE-CoR”, që trajton marrëdhëniet e gjuhëve indo-evropiane, ngjashmëritë e dallimet, lashtësinë, midis tjerash. 

Kur ka folur për gjuhën shqipe, britaniku Paul Heggarty ka thënë se është gjuha më e veçantë nga të gjithë gjuhët indoevropiane. 

“Ajo çfarë është interesante për gjuhën shqipe është se është shumë e dallueshme. Nuk kemi gjetur një gjuhë indoevropiane më të dallueshme se kjo. Është shumë origjinale dhe ka një arsye për këtë.

Një pjesë e arsyes për këtë është sepse ajo ka ndryshuar shumë. Ka marrë shumë fjalë nga gjuhët e tjera”, ka thënë ai në ligjëratë. 

Për atë se nëse shqipja është pasardhëse e ilirishtes, ka thënë se ka vetëm 300 mbishkrime të kësaj gjuhe të cilat, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme. Ka thënë se historia është më e thellë dhe se nuk mund të bëhen interpretime të forta. 

“Më e shumta që mund të themi është se gjuhë si shqipja, greqishtja dhe të tjera të cilat e njohim pak burimin e tyre, për të cilat kemi pak materiale, nuk mund të dimë për to, nuk kemi të dhëna. Ka shumë gjuhë dhe varietete për të cilat nuk dimë saktësisht se nga vijnë. Problemi me të dhënat gjuhësore janë se ato abuzohen për interpretime politike e historike”, ka thënë Heggarty derisa e ka vlerësuar keqinterpretim idenë se gjuha shqipe është gjuha më e vjetër. Sipas tij, duhet pasur kujdes në këtë aspekt. 

“Ideja popullore është se kjo e dëshmon se gjuha shqipe është më e vjetra, jo nuk është, është keqinterpretim. Mendoj se duhet të ketë më shumë kujdes në këtë aspekt. Problemi është se për ilirishten ka shumë pak të dhëna dhe është shumë e paqartë. Materiale ka shumë pak, shkollat kanë opinione të ndryshme”, ka thënë më tej Paul Heggarty, historian i gjuhës i doktoruar për gjuhësi krahasimtare në Universitetin e Cambidge në Angli dhe shkencëtar i lartë në Institutin “Max Planck” në Jena të Gjermanisë.

Në biografinë e tij shkruhet se ai ka në fokus mënyrën se si gjuhët hapin një dritare mbi të kaluarën tonë, në bashkëpunim me perspektivat nga gjenetika, arkeologjia dhe historia. Ai ka përvojë të gjatë kërkimore dhe bashkautorësi në secilën prej këtyre disiplinave, që ka për qëllim të fitojë një kuptim më koherent, holistik të (para)historisë.  Interesat e tij shkojnë në mbarë botën, por përqendrohen edhe në Amerikën e Jugut, ku ai tani mban një “cátedra de excelencia” në “Pontificia Universidad Católica del Perú”.

Sipas tij, “gjuhët që ndryshojnë shpejt, fatkeqësisht vdesin shpejt”. Ka thënë se ndryshim drastik po pëson gjuha shqipe. 

“Gjuha shqipe është kaq e dallueshme pasi është monogjuhë. Të gjitha këto gjuhë janë të tilla. Por, cili është dallimi me trungun e gjuhës shqipe? Këto metoda dhe kjo çfarë shihni janë përplot rezultate. Ky trung i gjuhës shqipe po ndryshon shpejt. Ky ndryshim me gjuhën shqipe është i pazakontë. Këto janë të dhëna nga databaza jonë”, ka thënë Heggarty derisa u është referuar të dhënave dhe grafikave në prezantimin e tij. 

Sipas tij, gjysma e gjuhëve mund të shuhen brenda dekadash. 

“Janë përafërsisht 7 mijë gjuhë në botë dhe gjysma e tyre do të shuhen brenda dekadash apo do të jenë më pak të kuptueshme. Në rastin e shqiptarëve prezumoj se sa më të dallueshme të jenë varietetet e gjuhës shqipe do të jenë më koherente”, ka thënë ai derisa ka vlerësuar se standardet e gjuhës po i vrasin dhe po i homogjenizojnë ato. 

Duke u kthyer prapë në autenticitetin e gjuhës shqipe ka theksuar dallimin me gjuhët e tjera. Ka thënë se dallim të madh ka me gjuhën angleze. Sipas të dhënave të tij, shqipja me anglishten kanë ngjashmëri vetëm 7.4 për qind. 

Disa herë e ka theksuar se gjuha shqipe, sikurse çdo gjuhë tjetër, nuk ka datë të lindjes. 

Duke u thelluar më tej në dialektet e saj, ka thënë se ato kanë ngjashmëri për 89.5 për qind. 

“Tani a do duhej të ishte standard toskërishtja. Kur bëhet ky dallim shohim se 89.5 për qind është i përafërt dialekti gegë me standardin dhe toskërishten”, ka thënë ai duke treguar se dallim i theksuar vërehet me gjuhën që flasin arbëreshët. 

“Në anën tjetër, standardi me gjuhën që flasin arbëreshët është krejtësisht ndryshe. Fjalët më stabile janë të përafërta dhe po ndryshojnë shumë. Ndarja në gegë dhe toskë është fonologji e vjetër, para se arbëreshët të largoheshin. Por kontaktet vazhduan dhe kjo ka bërë që të ngadalësohet ndryshimi në përgjithësi. Kjo është shumë unike. Në gjuhët gjermanike nuk ekziston ky lloj leksikoni. Për shembull, në Elbasan nuk është shumë i theksuar varieteti toskë pasi kontaktet me banorët në zona malore atje janë të vazhdueshme për një kohë të gjatë”, ka thënë Heggarty më tej në ligjëratën e mbajtur në “Orën e Rexhep Ismajlit”. 

Seminari, që ka nisur të hënën, do të vazhdojë me ligjërata, diskutime e kurse të gjuhës. /koha.net