Pas Vlorës, Rama paralajmëron shkarkime drejtorësh në dy bashki të tjera

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një valë shkarkimesh në Bashkinë e Fierit dhe Durrësit, ku do të zhvillojë takime këtë pasdite.

Gjatë një komunikimi me qytetarët në Facebook, kreu i qeverisë thotë se ky vetëpastrim i strukturës në këto bashki, është i domosdoshëm pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz.

Teksa u ndal te rasti i Vlorës për lirimin e hapësirave publike, ai tha se të njëjtën gjë do e bëjnë dhe në qytete të tjera, si Durrësi, Fieri, Shkodra e Tirana.

“Sot pasdite jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëqetësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha një realitet në transformim të vazhdueshëm.

Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështes tanë në zonë, diasporë, që kërkon të vazhdojë të shkruhet si një kapitull i ri, që kanë nevojë për më shumë cilësi jete”, tha Rama.