Kuvendi i Shqipërisë pritet që të ketë një televizion dhe pritet që do të jetë një investim prej 500 mijë eurosh.
Konkretisht ky televizion do të shërbejë për transmetimin e punës parlamentare te qytetarët, të shpjegojë proceset ligjvënëse, reformat dhe ndikimet e tyre.
Në fakt kjo u paralajmërua para pak ditësh edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit të PS, ku kritikoi ashpër RTSH-në.
Rama tha se tha se vendi duhet të ketë një kanal parlamentar. Kreu i qeverisë propozoi që kanali i Parlamentit në RTSH të kthehet në një kanal të Kuvendit, jo vetëm për të transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë seancat apo komisionet, por për të pasqyruar më gjerësisht aktivitetin parlamentar.
“Vendet e tjera e kanë një kanal parlamentar, duhet ta kemi edhe ne dhe ai duhet të jetë nën kujdesin e Kuvendit, duke ftuar edhe përfaqësues të opozitës, si Agron Gjekmarkaj”, tha Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.
Përmes këtij TV, të majtët kërkojnë të prodhojnë lajme mbi punën e Kuvendit, përfshirë kronika dhe intervista të deputetëve.
“Qëllimi i programacionit televiziv të kanalit parlamentar është të ofrojë një pasqyrë të plotë, të strukturuar dhe të kuptueshme të veprimtarisë së Kuvendit për publikun e gjerë. Programet duhet të jenë të balancuara ndërmjet informimit të menjëhershëm, analizës së thelluar, edukimit qytetar dhe transparencës institucionale”,-thuhet në dokumentin që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
Mësohet se 500 mijë eurot do të shpenzohen për studio televizive moderne, prodhim të plotë video/audio për TV Parlamentar, dhe platformë publike televizive të Kuvendit, e integruar me shërbimet AI. Do të ofrohen komentim opsional, titrim dhe gjuhë të shenjave për seancat dhe komisionet.
Iniciativa premton të ofrojë përmbledhje dhe analiza: kronika ditore dhe javore, përmbledhje tematike mbi çështje ligjvënëse dhe debate, të transmetuara në RTSH Kuvend, online dhe në rrjete sociale.