Partitë e vogla kërkojnë krijimin e Federatës së Opozitës: Berisha dhe Basha të bashkohen për një qëllim të përgjithshëm

Kryetarët e partive të vogla opozitare kanë propozuar krijimin e Federatës së Opozitës, për të bashkuar të gjitha partitë me qëllim ndryshimin e realitetit politik në Shqipëri.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh në konferencën për media se opozita duhet të jetë e bashkuar, teksa ndër të tjera u ndal edhe te Reforma Zgjedhore.

“Opozita duhet të jetë e bashkuar, vetëm kështu mund të ndryshojë realitetin politik në Shqipëri. Shqipëria ka qenë vendi i të mundurave të habitshme. Të gjithë ata që duan të kontribuojnë në një qëndrim të përbashkët të opozitës padyshim i kemi parë si marrëdhënie racionale. I ngelet partive politike që të përcaktojnë qartë pozicionin e tyre në raport me qëndrimet. Partitë mund të funksionojnë edhe jashtë kësaj Federate, por shpresoj që të kenë një qëndrim të qartë që i shërben interesave të vendit dhe të opozitës”, tha Fatmir Mediu.

Për Agron Dukën, kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Sali Berisha dhe Lulzim Basha duhet t’i lënë mënjanë hallet individuale dhe të bahskohen për një qëllim të përbashkët.

“Iniciativë është e jona. Dhe Basha dhe Berisha i kanë dëgjuar propozimet tona. Kemi shpresë, se do i thërrasin arsyes dhe të lënë mënjanë hallet individuale dhe të bashkohen për një qëllim të përgjithshëm”, tha ndër të tjera Duka.