Papa Leone ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të shmangin çdo veprim ushtarak në Venezuelë, duke kërkuar rrugë alternative si dialogu apo presioni ekonomik. Duke folur gjatë fluturimit nga Bejruti drejt Romës, ai tha se çdo ndërhyrje ushtarake do të ishte e gabuar dhe se situata duhet qetësuar me mjete diplomatike.
Tensionet mes SHBA-së dhe Venezuelës mbeten të larta, ndërsa kreu i Kishës Katolike ka theksuar se udhëheqësit fetarë në Venezuelë po kërkojnë mënyra për të ulur përplasjet politike. Ai përmendi se komunikimet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij venezuelian Nicolas Maduro mbeten të paqarta dhe ndryshojnë shpesh.
Gjatë konferencës së udhëtimit, Papa Leone bëri thirrje që vendet perëndimore të jenë “më pak të frikësuara” nga emigrantët, duke theksuar se frika shpesh nxit përjashtimin e të huajve për shkak të fesë, origjinës apo racës. Ai solli si shembull marrëdhëniet pozitive mes myslimanëve dhe të krishterëve në Turqi dhe Liban, duke thënë se këto praktika duhet të merren si model edhe në Evropë e Amerikën e Veriut.
Papa u ndal edhe te roli i Evropës në procesin e paqes për Ukrainën, duke theksuar se kontinentit i duhet një rol i fortë në çdo plan që po diskutohet mes Uashingtonit dhe Moskës.
Në deklaratat e tij, ai foli edhe për momentin e zgjedhjes si papë këtë vit, duke pranuar se pak kohë më parë kishte menduar të tërhiqej nga detyrat kishtare. Papa Leone u shpreh gjithashtu se shpreson të vizitojë Algjerinë, për të ndjekur gjurmët e Shën Augustinit dhe për të promovuar dialogun ndërfetar.