Nga Isa Bajrami
Shumë herët në Greqinë antike, kur organizoheshin lojërat olimpike, çdo drejtues i qytet-shteteve dërgonte një filozof të spikatur nga vendi i tij për të marrë pjesë në këto festime. Mirëpo kishte diçka; këta filozofë nuk kishin të drejta si pjesëmarrësit e tjerë. Ata dërgoheshin vetëm si vëzhgues dhe e kishin të ndaluar të bëheshin pjesë e argëtimeve, të bënin tregti apo të ndikoheshin. Ata ishin thjesht vëzhgues që, me një optikë filozofike, duhej të studionin zhvillimet e shoqërive të ndryshme dhe për këtë t’u raportonin udhëheqësve të tyre.
Duke filluar nga sot, në Tiranë po organizohet festivali i librit, pra panairi i librit, një ngjarje që tërheq shumë vëmendje. Ajo që bën më shumë përshtypje në këtë organizim, krahasuar me panairet e kaluara, është pjesëmarrja e gjerë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, pa hyrë në diskutimin se sa dhe si lexojmë ne si shoqëri. Ajo që do të doja të vëreja tek frekuentuesit është reagimi i atyre që postojnë çdo ditë thënie të mençura filozofike nga njerëz të mëdhenj të mendimit, kur shohin librat voluminozë prej nga dalin ato sentenca që ata i shpërndajnë me aq lehtësi në rrjetet sociale. A do të ishte reagimi i tyre i njëjtë me atë të personave që njihen në rrjetet sociale, por që pas njohjes nga afër ndiejnë zhgënjim, apo gjithçka do të ishte në pritshmëritë e tyre?
Por, përtej kësaj kërshërie personale, ajo që është më e rëndësishme janë autorët e vendit tonë, mendimtarët shqiptarë (pa anashkaluar përkthimet e autorëve të huaj). Pyetja që dua të ngre është: a e privojnë shkrimtarët dhe studiuesit tanë veten, ashtu si filozofët grekë, apo thjesht dëshirojnë të jenë pjesë e kulturës populiste me botimet e tyre? Madje, kam vërejtur figura publike të njohura edhe si opinionistë, të cilët, duke shfrytëzuar mundësinë e të qenit njerëz publikë dhe duke pasur hapësira mediatike, i bëjnë marketing botimeve të tyre në mënyrë që t’i shndërrojnë jo vetëm në bestseller, por edhe ta bëjnë publikun të mendojë se ky botim do të ndryshojë rendin e ri botëror që është duke u formuar rishtazi. Kështu, mund të pyesim: a janë këta vërtet shkrimtarë dhe filozofë, apo thjesht hyjnë në kategorinë e sofistëve?
A i thonë këta mendimtarë njerëzve të shkojnë në librari apo i ftojnë të marrin pjesë në organizatat joqeveritare që i drejtojnë vetë, thjesht për të përfituar fonde me një axhendë të caktuar? Po ashtu, a ekziston vërtet një elitë intelektuale në vendin tonë? Pra, mbasi kemi bërë ketë parashtrim, para se të ironizojmë pjesëtarët e shoqërisë sonë që dalin në foto me libra, duhet të analizojmë se sa këto elita e orientojnë shoqërinë në kahun e volitshëm. Dhe, a mban përgjegjësi kjo elitë për gjërat që nuk shkojnë mirë në shoqëri? Sa i ka shërbyer kjo elitë shoqërisë, që përtej trillimeve dhe fjalëve që përmbajnë veç polemika, ta bëjnë të kalojë në stadin e koncepteve? Madje, kjo elitë, a e ka marrë iniciativën që shumë kode të kulturës sonë t’i shndërrojë në nocione filozofike të qëndrueshme, që pse jo, kultura jonë të jetë e admirueshme edhe për shoqëri të tjera në komunikimin global të gjësë? Sa ka ndodhur kjo deri më sot, mbetet në gjykimin tuaj. Mirëpo, duhet theksuar se një intelektual mund të konsiderohet i tillë sepse mund të jetë njëri nga ata që thyen zinxhirët i pari për t’u shkëputur nga shpella, që presupozon në mënyrë metaforike Platoni, dhe të shohë jashtë të vërtetën. Por intelektualizmi i vërtetë nis atëherë kur, pasi e ke parë të vërtetën, të kesh dëshirën dhe guximin të rikthehesh dhe t’ua tregosh edhe të tjerëve të vërtetën. Kjo është më e vështira që mund të bëjë një i iluminuar, kur dihet se sa e vështirë mund të jetë për t’i bindur ata se e vërteta është tjetër nga ajo që pandehin ata brenda në shpellë. Pikërisht kjo e bën intelektualin një intelektual të vërtetë. A e kryejnë intelektualët shqiptarë këtë mision përballë shoqërisë së tyre, apo e kundërta, merren me manipulimin e opinionit publik?
Lojërat olimpike në disa qytet-shtete të Greqisë së lashtë organizoheshin një herë në dy ose katër vjet, pothuajse sa një mandat deputeti në kohën e sotme. Këto lojëra kishin karakter festivalesh, gara sportive dhe ceremoni fetare, etj. Ndërsa panairet e librave organizohen çdo vit; kjo, a nuk duhet të na bëjë më të mençur që me votën tonë të përcaktojmë me më shumë kujdes për të mirën tonë të përbashkët duke i imponuar kërkesat tona ekonomike dhe sociale politikëbërësve në zgjedhjet e ardhshme? S’po them të kemi drejtues filozofë, siç Platoni kërkonte, por të kemi administratorë sa më të mirë, të cilëve së paku u dhimbset vendi i vet.
Megjithatë, problemi nuk është kaq i thjeshtë, sepse, po të supozojmë që një shkrimtar apo intelektual, siç do ta donim ne si politikan ideal, duke pasur dhe veç një enturazh intelektualësh rreth tij, po të krijonte një parti politike, a do ta votonim masivisht atë? Apo thjesht do ta votonte vetëm një pjesë e vogël e admiruesve të tij? Unë mendoj se nuk do të votohej, sepse shoqëritë krijohen nëpërmjet mitologjisë dhe politikanët i kontrollojnë duke përdorur ndjeshmëritë e tyre; pra, përdorin dimensionin mistik të arsyes për t’i sunduar. Ajo ç’ka do të duhej të ishte, është kështu: shoqëritë krijohen me mitologji, mirëpo vazhdimësia e qëndrueshme e tyre duhet të bazohet në parimet e arsyes universale. Mirëpo, politikanët sot krijojnë mitet e tyre individuale duke u shfaqur para masës si Zeus dhe vënë në qarkullim shprehjen se politika është sport i vështirë, që vetëm ata kanë të drejtë ta luajnë, duke sunduar për shumë vjet vetëm disa të njëjtat figura. Kështu që, për të qenë qytetarë të angazhuar, a nuk duhet që nga shkrimtarët apo të diturit e njohur të mos marrim vetëm autografe, por të jemi të zotë për të qenë dikush, duke qenë edhe autodidaktë?
Andaj, ne, pasi të dalim nga Pallati i Kongreseve dhe të lexojmë librat e blerë, a do të mund të krijojmë një mikro-sistem metafizik, qoftë edhe vetëm në botën tonë vetjake? Përveç kësaj, shkrimtarët, studiuesit, mendimtarët dhe shkenctarët e sotëm (jo të gjithë) edhe pse më shumë mundohen të jenë populistë, prapë panairet e librave janë një gjë e dobishme, sepse që dija të fitojë legjitimitetin e saj dhe të institucionalizohet, duhet të shpërndahet. Sepse duke u shpërndarë, kemi mundësi ta pranojmë apo ta kritikojmë, dhe kështu ajo bëhet pjesë e jetës publike dhe mund të shërbejë për të mirën e shoqërisë. Po ashtu, ne mund të dimë shumë, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale, por ato që nuk dimë janë edhe më shumë. Madje, edhe ato që dimë na nxjerrin të paditura të tjera.
Gjithashtu, shumica e njerëzve në epokën e sotme janë më të prirur për ta ndryshuar botën sesa për ta kuptuar atë. Mirëpo, unë jam i mendimit se fillimisht bota duhet kuptuar, pastaj ta ndryshojmë; kështu do të kemi një botë ku funksionojnë vlerat njerëzore, gjë për të cilën na ndihmon feja dhe filozofia. Mirëpo, edhe pse jemi në panairin e librit, ju mund të thoni: ç’na hyn në punë sot feja apo filozofia? Sa mirë do të ishte që filozofia të kishte marrë fund, por ja që problemet filozofike ende ekzistojnë në botën e njeriut.
Po besoj që jemi me të njëjtin mendim se, përveç të lexuarit dhe të mësuarit nga librat, çdokush nga ne ka diçka të vetën autentike për të thënë, ndaj po e përfundoj këtë shkrim me një anekdotë të ndodhur realisht. Një i apasionuar mbas filozofisë, kur shkon te një profesor filozofie dhe gjatë bisedës i rendit pafund thënie e mendime të filozofëve të ndryshëm, profesori i thotë: “Ju keni mësuar përmendësh shumë mirë atë që kanë thënë të tjerët, po ju, a keni për të thënë diçka tuajën?”