Një incident që mund të përfundonte në tragjedi është regjistruar mbrëmjen e së martës në një pallat në lagjen “Çlirimi”, përgjatë bulevardit të palmave në Lushnje.
Djegia e panelit elektrik të pallatit ka shkaktuar momente paniku dhe pasiguri mes banorëve dhe të afërmve.
Falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve, forcave të rendit dhe vetë banorëve, situata u vu nën kontroll pa pasoja fatale. Katër persona morën ndihmë mjekësore për shkak të tymit të thithur, por janë larguar në gjendje të stabilizuar drejt banesave të tyre gjatë orëve të vona të natës.
Fatmirësisht, nuk janë raportuar dëme në banesa. Megjithatë, tymi i dendur ka lënë një aromë mbytëse që ndjehet ende në ambientet e përbashkëta të pallatit.
Në orët e para të mëngjesit, një grup pune i OSHEE ka mbërritur në vendngjarje dhe po analizon shkaqet e ngjarjes.