Ish-zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka përfituar 50 milionë lekë nga fondet shtetërore për t’u kuruar jashtë vendit. Kjo shumë i shtohet 30 milionë lekëve të tjera të marra më herët, sërish nga arka shtetit.
Në letër, çdo qytetar i Republikës ka të drejtë të kërkojë ndihmë nga fondet shtetërore për kurim jashtë vendit, sidomos kur sëmundja nuk trajtohet në Shqipëri. Por në realitet, vetëm të zgjedhurit e sistemit, ose më saktë, ata që kanë qenë vetë sistemi, mund të të marrin fonde të tilla në kohë rekord.
Ndërsa qytetarët e thjeshtë harrohen në listat e pritjes, në korridoret e Onkologjikut, duke pritur ilaçet që mungojnë ose një diagnostikim që mund të bëhet pas disa muajsh, nëse janë ende gjallë.
Ironia është therëse: Mira Rakacolli ka qenë një nga zërat më të zëshëm në mbrojtje të sistemit shëndetësor publik shqiptar. Ka mbushur ekranet me deklarata për reformën në shëndetësi, për spitalet moderne dhe për “barnat e rimbursueshme” që qytetarët tanë as i shohin dhe as i gjejnë.
Por kur vetë ajo përballet me një sëmundje të rëndë, zgjidhja nuk është spitali që dikur e propagandoi, por një klinikë jashtë vendit, e financuar me paratë e taksapaguesve që ajo vetë i la në mëshirë të fatit.
Ky nuk është thjesht një rast i një ish-zyrtareje që u sëmur, por është pasqyra e një sistemi të kalbur, ku shëndeti publik është vetëm për të varfrit, ndërsa të pushtetshmit kurohen jashtë me paratë e qytetarëve të thjeshtë.
Institucionet rrisin fondet për zyrtarët e lartë dhe heshtin për qytetarët e zakonshëm që vuajnë. Hesht edhe politika, hesht edhe shoqëria, sepse jemi mësuar të mos na bëjë më përshtypje.
Por s’duhet të jetë kështu. Ky rast nuk duhet të kalojë thjesht si “rasti Rakacolli”. Ky është një shembull i dyfytyrësisë së klasës politike dhe paaftësisë së sistemit për të mbrojtur më të pambrojturit.
Nëse ky vend ka ende një fije ndërgjegjeje, ky rast duhet të ngrejë alarmin. Jo për të gjykuar një individ që kërkon të mbijetojë, por për të gjykuar një sistem që i lejon vetëm të pushtetshmit të mbijetojnë, ndërsa të tjerët të presin të pashpresë vdekjen.
Dhe nëse nuk reagojmë tani, nesër do jetë shumë vonë, për të gjithë ne.
Ps: Ky nuk është një shkrim kundër zonjës Mira Rakacolli, pasi asaj i urojmë shërim sa më të shpejtë. Ky është një shkrim kundër fenomenit që ndodh në Shqiëpri dhe që s’duhet të ndodhë më