Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për mbrojtjen dhe hapësirën, Andrius Kubilius, ka deklaruar se blloku evropian duhet të qëndrojë pranë Danimarkës në mosmarrëveshjen e saj me SHBA-në për të ardhmen e Groenlandës.
Duke iu përgjigjur pyetjes mbi pushtimin e mundshëm amerikan të Groenlandës, Kubilius në Forumin Ekonomik Botëror në Davos tha se “Danimarka është pjesë e BE-së dhe ata bëjnë një lloj bisede”.
“Ne duhet gjithmonë të mbështesim Danimarkën”, theksoi Kubilius.
Presidenti amerikan, Donald Trump, fillimisht shprehu dëshirën e tij për të blerë Groenlandën në vitin 2019, gjë që tërhoqi një kundërshtim nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen. Tani, Trump ka përsëritur dëshirën e tij për të fituar territorin autonom.
“Groenlanda është një vend i mrekullueshëm. Ne kemi nevojë për të për sigurinë ndërkombëtare”, u tha Trump gazetarëve të hënën derisa nënshkroi urdhrat ekzekutive pas kthimit të tij në Zyrën Ovale.