Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Bëlind Këlliçi, ka paralajmëruar se do të depozitojnë kallëzim në SPAK për dy zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë.
Më konkretisht, Këlliçi tha se janë zbuluar fakte edhe për dy administratorë të dy ish komunave të Tiranës, Arben Malokun dhe Kujtim Qefalian, ku materialet për to po përgatiten dhe do të depozitohen së shpejti në SPAK.
Pak ditë më parë, gjatë një deklarate për mediat, Këlliçi denoncoi se Maloku, i cili ka mbajtur funksionin e Administratorit të Njësisë Administrative Zall Herr, ka përfituar 34 milionë euro tendera nga Bashkia e Tiranës.
“I kemi dërguar në SPAK, janë pjesë e dosjes së 5D dhe akuzat e reja që janë bërë, sepse kemi zbuluar edhe dy administratoret e ish komunave, që është rasti i Zall Herit, Arben Maloku dhe rasti i Dajtit Kujtim Qefalia. Edhe ky material po përgatitet për tu depozituar së shpejti në SPAK.
Cdo gjë që kemi bërë nuk jemi mjaftuar me deklarata publike, por kemi edhe dokumente që i kemi depozituar në SPAK që të bëjë punën e vet.
Shpesh herë dëgjojmë që njerëzit thonë se opozita ka probleme me drejtësinë, por ne jemi ata që kemi inkurajuar SPAK, duke cuar kallëzime për të zbuluar të vërtetat”, tha Këllici.