Operacioni “Ura”/ Gjykata e Tiranës miraton kërkesën për ekstradimin në Itali të Ekil Ndërjakut dhe Ervis Detit

Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e Genti Ndërjakut (alias Ekil Ndërjaku) dhe Ervis Detit, të cilët ishin pjesë e organizatës kriminale në Durrës që u godit pas një bashkëpunimi mes SPAK dhe antimafias italiane.

Ndërjaku, aktualisht ndodhej në burg për shkak të përfshirjes në atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019 në Shkozet, ku u vra shoferi i prokurorit Arjan Ndoja.

Ndërkohë Ervis Deti u arrestua gjatë operacionit të koduar “Ura”, në zbatim të një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Barit në Itali.

Me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi, Gjykata vendosi arrest në burg deri në mbërritjen e dokumentacionit nga Italia.

Një ditë më parë SPAK njoftoi për goditjen e tre grupeve kriminake, një me bazë në Durrës dhe 2 në rajonin e Puglias në Itali. Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale. Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës.