“O kafshë!” Autori i vrasjes në Pogradec lihet në burg, familjarët e viktimës protestojnë para gjykatës

Denis Meçe, autori i dyshuar i vrasjes së Egli Progës në Pogradec, ka dalë sot para gjykatës e cila ka vendosur “arrest me burg”. Gjykata ka vendosur detyrim paraqitje për tre persona të tjerë që dyshohet se ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes.

Familjarët e viktimës janë paraqitur para këtij institucioni, ndërsa mes dhimbjesh motra e tij ka kërkuar drejtësi.

Vrasja e Egli Progës mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pogradecit, në orët që pasuan u shoqërua me një sërë paqartësish mbi dinamikën dhe nëse ngjarja ishte një vdekje aksidentale si pasojë e konsumimit të alkoolit nga ana e viktimës apo një vrasje siç dyshimet janë më të shumta.

Në momentet e para kur i ndjeri u gjet në rrugë, mediat raportuan se sipas të dhënave paraprake, 42-vjecari në gjendje të dehur ishte rrëzuar dhe kishte gjetur vdekjen.

Por konstatimet e para të mjekëve që tentuan t’i japin ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, ngritën dyshime se i ndjeri ishte dhunuar. Dhe verifikimet e mëpasme të policisë me pyetjen e dëshmitarëve në vendngjarje dhe pamjet e kamerave të sigurisë dolën në përfundimin dhe Egli Proga ishte dhunuar nga Denis Meçe dhe tre persona të tjerë të cilët tashmë janë arrestuar nga policia e Pogradecit. Ngjarja kishte ndodhur jashtë ambienteve të lokalit.

Njoftimi i parë zyrtar i policisë ka qenë të nesërmen e ngjarjes ku njoftonte arrestimin e personave të dyshuar, të cilët pas një konflikti për motive të dobëta kishin goditur duke i shkaktuar vdekjen viktimës Egli Proga.

Lidhur me ngjarjen ka patur reagime nga Drejtori madhor Muhamet Rrumbullaku, si dhe avokati I popullit.