Një i dënuar i IEVP Reç në Shkodër nuk është rikthyer në institucion pas përfundimit të lejes shpërblyese që i ishte dhënë për periudhën 14–21 gusht.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i dënuari me inicialet P.N., i sigurisë së zakonshme, ndodhej me leje në fshatin Rukaj, në Njësinë Administrative Luf, në qarkun Shkodër.
Leja e tij kishte nisur më 14 gusht, në orën 12:30, dhe përfundonte më 21 gusht, në orën 12:30. Pas konstatimit se ai nuk ishte paraqitur për t’u rikthyer në institucion brenda afatit, strukturat e informacionit të IEVP Reç nisën verifikimet.
Gjatë kontakteve me familjarët, është mësuar se P.N. ishte larguar nga banesa gjatë orëve të mëngjesit.
Për rastin janë njoftuar menjëherë strukturat e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ndërsa vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e të dënuarit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Policinë e Shtetit, ka bërë të ditur se rasti po ndiqet me prioritet.
Autoritetet pritet të informojnë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me kërkimet për të dënuarin.