“Nuk qëndroja dot nga aroma e parfumeve”, Balluku justifikon veten: Unë vesh çizmet e i futem baltës nëpër kantiere, bëj punë burrash

Ish-kryeministri Sali Berisha doli dje nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, duke thënë për mediat se s’mund të duronte dot aromën e parfumeve të shtrenjta të ministreve e deputeteve.

“Unë shkoj aty në platformë, mezi qëndroj nga aromat, nga gërshetimi i aromave të parfumeve më të kushtueshme. Aty bëhet një paradë luksi, bizhush, parfumesh sikur je në një sallon mode dhe jo në një parlament përfaqësues të qytetarëve. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur blen stolinë e oborrit 4 milionë euro. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur shpenzon 21 milionë euro udhëtime me ‘Ismailin’ e famshëm. Nuk mund t’ia dinë ministret që ulen në tavolinë me biftekun 1 mijë euro. Nuk mund t’ia dinë qeveritarët që shpenzojnë për qerpikë artificialë 150 euro në javë. Luksi i tepruar është haram në të gjitha besimet”, u shpreh Berisha.

Por deklaratës së Berishës i është përgjigjur zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila ka justifikuar veten, duke e hequr nga pjesa e politikaneve që hedhin parfume të shtrenjtë. Madje ajo u shpreh se bën punë burrash, duke veshur çizmet e duke ecur nëpër kantieret me baltë.

“Unë nuk e di që në sallën parlamentare ne kemi hyrë që të na mbajnë erë parfumet të cilat kushtojnë nga 100 lekë edhe shumë më shumë, por nuk e di kush i ka këto aftësi nuhatjeje për t’i ndarë se sa të shtrenjta janë dhe pastaj e thënë nga ai që po e thoshte nuk besoj që e ka këtë nuhatje në këtë moshë.

Ose dje kam dëgjuar një tjetër përfaqësues të politikës që tregonte se si ka ndryshuar disa prej grave të parlamentit në pamjen e tyre. Nuk e di se çfarë rëndësie ka pamja në rolet që kemi në parlament. Nuk e di sa e rëndësishme është pamja e një drejtuesi komisioni?

Nuk e di sa e rëndësishme është pamja ime sepse unë vesh çizmet dhe i futem baltës nëpër kantiere dhe bëj punë burrash. Supozohet se është punë burrash se ne këtu kemi profesoreshën që vjen nga një fushë e supozuar burrash, inxhinieria e ndërtimit”, tha Balluku.