Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama kanë 11 vite në pushtet, por çdo ditë e qeverisjes është shoqëruar me akuza të shumta, skandale dhe arrestime zyrtarësh e ministrash, të përfshirë në afera korruptive.
Kanabizimi i vendit në vitin 2016 ishte një nga skandalet e para të mëdha të qeverisë, ku u akuzua ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Atë vit, Shqipëria u kthye në një territor të lulëzuar me bimë kanabisi, teksa shqetësime të mëdha u ngritën nga Bashkimi Europian.
Disa vite më vonë, Saimir Tahiri do të dënohej nga Gjykata e Posaçme , por jo për kanabizimin, por për “shpërdorim detyre” duke i “shpëtuar” akuzave të tjera të ngritura nga Prokuroria si: “Korrupsion i zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Ai u lirua para kohe, për shkak se sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, bashkëshortja e tij për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdesej për dy fëmijët e çiftit.
Koncesioni i Sterilizimit u nënshkrua në 10 Dhjetor 1015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “SaniService” sh.p.k. Kjo kontratë do të kishte një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 100 milionë euro.
Por 8 vite më pas, Prokuroria e Posaçme do të zbulonte se ky koncesion është një aferë korruptive, ku ishin të përfshirë ministri i atëhershëm Ilir Beqaj, zv.ministri Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. I pari është ende nën hetim dhe me masë sigurie “detyrim paraqitje”, ndërsa të tjerët janë arrestuar dhe presin të gjykohen nga GJKKO, pais SPAK e ka mbyllur dosjen.
Inceneratorët janë një nga aferat korruptive më të mëdha të vendit tonë në 30 vitet e fundit, ku u përfshinë disa ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë dhe disa bashkive. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është shpallur në këkrim ndëkrombëtar, ashtu si pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ndërsa në burg janë ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe disa zyratrë të tjerë.
Sipas dosjes së SPAK, miqësia dhe aferat mes Arben Ahmetajt dhe Mirel Mërtirit kishin nisur përpara se Partia Socialiste të vinte në pushtet. Mërtiri dhe Klodian Zoto kishin arritur të përfitonin tenderat e matësve të ujit në disa bashki të drejtuara nga socialistët, me ndërmjetës pikërisht Ahmetajn.
Historia e inceneratorëve nisi në dhjetor të vitit 2014, kur qeveria t’i japë prioritet parandalimit dhe riciklimit të mbetjeve, duke e konsideruar asgjësimin si opsion të fundit. Ndërsa në vitin 2015 do të nisnin ehde lëvizjet e para të kësaj afere me anë të koncesioneve Partneritet Publik – Privat në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Inceneratori i Elbasanit u fitua nga kompania “Albtek Energy” më 12 dhjetor 2014 për 2.1 mln euro. Kompania është themeluar më 10 korrik të 2014 nga Stela Gugallja. Inceneratorin e Tiranës e fitoi kompania “Integrated Energy B.V S.P.V” pas ofertës prej 128 mln eurosh më 31 gusht 2017. Kompania rezulton e regjistruar në Holandë me drejtues Klodian Zoton. Inceneratori i Fierit u fitua nga kompania “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” e themeluar në tetor të 2016. Kompania zotërohej fillimisht nga “Integrated Energy Services” me 80 për qind dhe dhe kompania italiane “Energy 2” me 20 për qind të aksioneve.
Por çfarë kanë të përbashkët Kanabizimi i vendit, Sterilizimi dhe Inceneratorët?
Të tre këto afera dhe raste të korrupsionit masiv kanë ndodhur në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Rama, por u zbuluan pas disa vitesh falë punës së SPAK. Sot, Sterilizimi dhe Inceneratorët janë “kryefjala” e skandaleve, edhe pse janë afera të disa viteve më parë.
Pra, deri më tani janë zbuluar dhe po hetohen skandalet e mandatit të parë, çfarë do të thotë se ka ende shumë afera të pazbardhura ende, që me shumë gjasë do të duhet të presim disa vite, pasi mandati i dytë dhe i tretë duket të jetë ende “tokë e pazbuluar” për SPAK.
Siç ka thnë edhe vetë kryeministri Rama dikur: Nuk keni parë gjë akoma!