Nuk ka vendim për vulën dhe logon e PD-së, Gjykata e Lartë e kthen në Apel, edhe disa vite të tjera pritje për demokratët

Gjykata e Lartë nuk ka marrë një vendim përfundimtar për vulën dhe logon e PD-së, duke bërë që kjo çështje të zgjatet edhe më shumë.

Në seancën e sotme është vendosur që çështja të rikthehet në Gjykatën e Apelit, e cila më herët i kishte dhënë të drejtë palës së Lulzim Bashës për të mos njohur Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Gjykata e Lartë ka kërkuar që shqyrtimi i kësaj çështje në Apel të bëhet me një tjetër trupë gjykuese.

Rekursi në Gjykatën e Lartë u bë nga ana e “Rithemelimit”, e cila nuk pranoi kthimin e çështjes në Shkallën e Parë. Në këtë të fundit, gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit, por vendimi i tij u dërgua në Apel nga Enkelejd Alibeaj.

Në Gjykatën e Apelit, vendimi i Zhukrit u shfuqizua dhe u vendos që çështja të rikthehej në Shkallën e Parë, por “Rithemelimi” bëri rekurs dhe u dërgua në Gjykatën e Lartë. Tashmë fatin e çështjes do ta ketë sërish Apeli, por mesa duket vula dhe logo e PD-së do të mbeten për një kohë të gjatë “jetime”, në pritje për të mësuar se kush do t’i marrë në kujdestari.