Nuk do të ketë më fëmijë që lypin në rrugë, Policia e Tiranës paralajmëron prindërit dhe kujdestarët e tyre

Policia e Tiranës ka marrë disa masa për të mos lejuar më që fëmijët të nxirren dhe të shfrytëzohen për të lypur në rrugë.

Sipas një njoftimi për media thuhet se ky fenomen që i ekspozon fëmijët ndaj formave të dhunës, abuzimeve, shfrytëzimit dhe trafikimit, do të parandalohet.

Policia ka ngritur grupe pune të posaçme të cilët do të monitorojnë terrenin.

Në rastet kur do të shihen fëmijë në rrugë ata do të identifikohen menjëherë dhe do t’u jepet ndihmë duke i dërguar në organet kompetente.

Masat vijnë edhe për të rritur ndërgjegjësimin e prindërve ose kujdestarëve ligjorë të fëmijëve, pasi nëse konstatohen raste të shfrytëzimit ata do të ndiqen penalisht.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë fton qytetarët që nëse do të konstatojnë raste të fëmijëve në situatë rruge, të telefonojnë në numrat pa pagesë 112 (Policia) dhe Alo 116-111 (Linja e Këshillimit për Fëmijët). Gjithashtu apelon për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të mos i shfrytëzojnë ata për këtë aktivitet, pasi do të përballen me ligjin.