Një zgjedhje për Evropën: Mbroni Ukrainën me gjakun tuaj ose qetësoni Rusinë

Shpërbërja e ashpër këtë javë e raundit më të fundit të bisedimeve për armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës ka shmangur për momentin makthin që e trondit Europën: mundësinë që SHBA të ndërmjetësojë një marrëveshje dhe më pas t’ia lërë Europës barrën e zbatimit të saj. “Kryenegociatori” i Shtëpisë së Bardhë është i bindur se mjafton t’i jepet Putinit një pjesë e territorit ukrainas dhe garancia se Kievi nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO për t’i dhënë fund luftimeve aktive për një dekadë, në mos përgjithmonë.

Aleatët europianë të Amerikës janë shumë më pak optimistë, sidomos nëse një marrëveshje do të hiqte sanksionet ndaj eksporteve ruse të lëndëve djegëse fosile dhe do t’i lejonte Putinit të rindërtonte ushtrinë e tij të dëmtuar. Sipas tyre, çdo zgjidhje që nuk përfundon me një humbje të Rusisë thjesht do t’i japë Putinit kohë për t’u riar matosur dhe për të rifilluar pushtimin e Ukrainës në një moment të mëvonshëm. Presidenti Zelensky kërkon garanci sigurie nga SHBA, të barasvlershme me një anëtarësim de facto në NATO — diçka që Shtëpia e Bardhë heziton fort ta ofrojë. Çdo marrëveshje do të duhet të qëndrojë në këmbë edhe pa ndihmën e drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane.

Skeptikët e një marrëveshjeje me Rusinë kujtojnë historinë e trishtë të traktateve që shënuan fundin e Luftës së Ftohtë. Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Europë (CFE) vendosi kufizime për armatimet e rënda nga Atlantiku deri në Urale, të mbështetura nga një regjim verifikimi që u jepte inspektorëve perëndimorë akses në objektet ushtarake në Rusinë europiane. Masat për Ndërtimin e Besimit dhe Sigurisë (CSBM), të miratuara në vitin 1992, kërkonin njoftim paraprak dhe inspektim të stërvitjeve ushtarake. Nuk është për t’u habitur që ushtria ruse, e fiksuar pas sekretit, i urrente këto marrëveshje. Putini u bëri një “dhuratë” gjeneralëve të tij kur pezulloi pjesëmarrjen ruse në CFE në vitin 2007 dhe u tërhoq përfundimisht në vitin 2015. “Marrëveshjet” e pas Luftës së Ftohtë zgjatën vetëm derisa Putini vendosi t’i hidhte poshtë — pak përpara pushtimit të Gjeorgjisë në vitin 2008. Siguria europiane e bazuar në rregulla dështoi ta pengonte ambicien neo-imperialiste të Kremlinit.

A mund të veprojë Europa pa SHBA-në për ta bërë një armëpushim më të qëndrueshëm sesa këto marrëveshje kalimtare të kontrollit të armëve? Sot Europa nuk mund të dislokojë forca mjaftueshëm të mëdha për të mposhtur ushtrinë ruse, por Franca dhe Britania kanë shqyrtuar idenë e një force “tripëire” në Ukrainën lindore — një prani që do të shkaktonte automatikisht reagim ushtarak perëndimor në rast shkeljeje. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky koncept ishte i rrënjosur në strategjinë e NATO-s: një “shtresëzim” ushtrish kombëtare përgjatë kufirit të brendshëm gjerman garantonte që çdo ofensivë sovjetike do të konsiderohej sulm ndaj të gjithë aleancës, veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara. Kjo mbrojtje e përparuar ruajti paqen, pavarësisht epërsisë konvencionale sovjetike.

Por një “tripëire” funksionon vetëm nëse shoqërohet me një reagim dërrmues dhe automatik. Pasojat e shkeljes së armëpushimit duhet të jenë të rënda dhe të qarta, edhe për një autokrat të rrethuar nga servilët e Kremlinit. “Tripëire”-i i NATO-s funksionoi sepse mbështetej nga një parandalim amerikan i besueshëm, si bërthamor ashtu edhe konvencional. SHBA investoi burime të mëdha në bombardues dhe raketa të drejtuara ndaj Bashkimit Sovjetik, të komanduar nga figura si gjenerali Curtis LeMay, simbol i kundërpërgjigjes masive bërthamore. Stërvitjet vjetore REFORGER simulonin dislokimin e shpejtë të njësive amerikane nga SHBA drejt pajisjeve të paravendosura në Europë. Pa lidhjen me forcat amerikane, një “tripëire” europian në Ukrainë do të duhej të mbështetej në parandalimin bërthamor francez dhe britanik, si dhe në aftësinë për të dislokuar shpejt trupa masive perëndimore.

Megjithatë, ambiciet europiane për autonomi strategjike mbeten të papërgatitura për provën reale të garantimit të një armëpushimi. Edhe pas një marrëveshjeje, Ukraina do të mbetet çështje e hapur për nacionalistët radikalë që sundojnë Rusinë. Nuk ka ndonjë lider pro-perëndimor që pret rrëzimin e Putinit për t’u rikthyer në “Shtëpinë e Përbashkët Europiane”. As Franca, as Britania nuk janë të gatshme t’i ofrojnë Kievit një garanci bërthamore, dhe Europa aktualisht nuk ka kapacitetin për të përballuar një ofensivë të re ruse. SHBA e ka bërë të qartë se prioritetet e saj janë Paqësori dhe hemisfera perëndimore, duke ia lënë Europës detyrën për të siguruar një Ukrainë të pavarur me perspektivë në BE.

Siç tha Ëinston Churchill kur Britania qëndronte e vetme kundër makinerisë naziste: “Më dërgoni një ushtar amerikan dhe unë do të sigurohem që ai të vritet.” Europa duhet të ofrojë ushtarët e saj, të lidhur me një parandalim të fortë europian, nëse dëshiron të pengojë një udhëheqës rus që mund të mendojë për rifillimin e luftës.

Vendime shumë të vështira e presin Europën përpara se të arrijë të pengojë ambiciet ruse. Duke pasur parasysh epërsinë e saj të madhe ekonomike dhe industriale ndaj Rusisë, nuk ka arsye materiale që Europa të mos krijojë kapacitetin e nevojshëm ushtarak. Por mungesa e një komande të unifikuar ushtarake jashtë NATO-s dhe prioritetet e ndryshme kombëtare pengojnë krijimin e një parandalimi të besueshëm dhe të përbashkët. Kapërcimi i këtyre pengesave është thelbësor nëse Europa synon të luajë rolin e saj si aktor strategjik në lojën e Realpolitikës.

Europa përballet me një zgjedhje të qartë: ose të mbrojë Ukrainën me gjakun dhe burimet e saj, ose të pranojë qetësimin e ambicieve ruse. Njëra kërkon përgjegjësi afatgjatë për mbrojtjen e Ukrainës, ndoshta për dekada. Tjetra ofron gaz të lirë dhe programe sociale pa barrën e shpenzimeve ushtarake. Fjalët për autonomi janë të lehta; parandalimi është i vështirë dhe i kushtueshëm.