Një “zanatçi” i përjetshëm në krye të Akademisë së Shkencave

Kërcëllitjet e parketit të vjetër nën këmbë, teksa ecte korridoreve të godinës së Akademisë së Shkencave, ishte detaji që kryeministri Rama përzgjodhi për të përshkruar mjerimin e gjithanshëm të këtij institucioni. “ … më dukej sikur ishte Eqrem Çabej rrotullohej në varr nga gjendja e dëshpëruar e atij institucioni”, do të shprehej ndër të tjera Rama teksa kishte përballë kryetarin e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushin. Ndoshta nuk ishte vetëm kërcëllitja e parketit të vjetër që e detyroi të përdorte figurativisht Çabejn e madh por edhe portreti i kryetarit që i rrinte përballë si sfidant e për të cilin ai vetë kishte dhënë pëlqimin.

Ndoshta i detyruar për shkak se i ishte kthyer në barrë të besdisur atje në politikë, në krye të një partie të vogël që ka detyruar për shumë vite e shumë mandate socialistët që të ndajnë me të pushtet vazhdimisht të pamerituar. Pas më shumë se 30 vitesh, Gjinushi vendosi të largohej nga politika duke e shitur logon e tij tek një aleat shumë i rëndësishëm i kryeministrit. Pas një akti të tillë Gjinushi u hodh drejt e në karrigën e kryetarit të Akademisë së Shkencave, një institucion tek i cili nuk do të duhej të kishte kurrsesi vend një profil i tillë politik si ai i Skënder Gjinushit.

Kur profesorë të guximshëm të akademisë së shkencave shkruanin për fundin e regjimit, Skënder Gjinushi vërtitej paradhomave të liderit të fundit komunist duke diskutuar për mundësitë që i kishin mbetur për ta mbajtur Shqipërinë brenda regjimit komunist. Edhe kish qënë ministër në qeverinë e fundit të PPSH, krahu i rëndësishëm i Ramiz Alisë, Gjinushi do të vazhdonte të mbijetontë për më shumë se 30 vitet e pluralizmit si një parti, shumicën e kohës në pushtet.

Sidoqoftë, sot Gjinushi është në krye të akadamisë së shkencave në fund të mandatit të tij të parë dhe do të duhej të largohej për ti lënë vendin një tjetër kandidati për kryetar. Por jo, ai as që ka ndërmend ta lërë këtë karrige sepse socialistët iniciuan një ligj i cili e lejon Gjinushin të vazhdojë në krye të akademisë në mandatine  tij të dytë. Me urgjencë e në shkelje flagrante me rregulloren e Kuvendit, projektligji i iniciuar nga socialistët u fut në seancën e fundit parlamentare ditën e djeshme më datë 20 korrik 2023 dhe u miratua me votat e socialistëve. Kështu Gjinushi ka garantuar edhe katër vite të tjera në krye të Akademisë së Shkencave.

Ndryshimi i ligjit

Si ishte

Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”.

Si u ndryshua

Me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”, ku siç shihet është hequr togfjalëshi, por jo radhazi”.

I kthehemi sërish aspiratave të kryeministrit për të ardhmen e akademisë së shkencave: “Sot ne jemi shumë larg nga ajo që duhet të ishim, nëse do të kishte vijuar zhvillimi i Akademisë së Shkencave. Sot jemi në kushtet kur mund të shtyjmë shkencën dhe arsimin e lartë shqiptar, të mos presim integrimin e plotë në Europë. Kemi nevojë të shtyjmë më lartë dhe kemi nevojë të japim shembull”, tha Rama në 50-vjetorin e akademisë së shkencave një vit më parë.

Dhe shembulli ja ku është, miratimi i një ligji në shkelje flagrante të rregullores së Parlamentit vetëm e vetëm për të rikonfirmuar në krye të këtij institucioni me shumë rëndësi, parardhësin e Tom Doshit.

Historia e rrënimit

Akademia e Shkencave ka rrugëtim të ngjashëm me të tjera institucione të varura e të pavarura të këtij vendi. Gjatë tranzicionit, akademia ka disa produkete modeste të cilat janë kryer për llogari të partisë së radhës në pushtet, duke iu larguar gjithnjë e më shumë rolit për të cilin do të duhej të ekzistonte ky institucion.

Sigurisht, problematika ka lindur qysh në kohën e diktaturës kur si e gjithë shoqëria shqiptare, edhe akademia nuk mund të ishte jashtë propagandës e pushtetit diktatorial. Në fillimet e tranzicionit, një pjesë e anëtarëve të akademisë së shkencave vlerësoheshin e të tjerë jo aq shumë, për shkak të angazhimnit të tyre më të drejtpërdrejtë gjatë regjimit komunist. Sidoqoftë, nuk mund e nuk duhej që ky institucion të shtypej aq pa mëshirë nga politika.

Në vitin 1993 do të zhvillohej një debat në parlament për reformimin e Aakademisë së shkencave. Kemi shkëputur një pjesë të shkurtër nga diskutimi i deputetit të kohës profesor Ylli Veisiu, i cili citon:

Nëse duam ta bëjmë akademinë me të vërtetë një forcë reale duhet ta shkëpusim nga karakteri honorifik. Unë mendoj se ajo nuk duhet të ketë karakter honorifik. Në thelb akademia dhe institutet e tjera me doemos duhet të përfshihen në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, të luajnë një rol vendimtar, madje të arrijnë deri atje sa që edhe nga pikëpamja financiare ato të kenë autonomi”, shprehej i ndjeri profesor Ylli Veisiu.

Në fillime kishte ende vlerësim për akademinë që për fat të keq sa vinte e do të zbehej. Sipas raporteve në parlament në vitin 1997, ministri i arsimit i kohës Ethem Ruka raportonte se: Gjendja në institucionet kërkimore është mjaft e rëndë. Së pari, ka mungesë fondesh. Së dyti, liria e kërkimit ka qenë e kufizuar, ka pasur një pjesëmarrje shumë të kufizuar në projekte të ndryshme, ka mungesë kontaktesh me institucionet analoge ndërkombëtare”.

Pati shumë premtime për reformim të akademisë dhe nëse ndjekim historikun do të shohim se ishin vetëm premtime. Në vitin 1998 kur po miratohej programi i qevrisë Majko, u premtua sërish një reformimin i thellë dhe mbështetje për akademinë por premtimi u shoqërua me një masë qesharake  kur në buxhetin e atij viti u shtuan vetëm 7 milionë lekë në zërin “investime”.

 Gjatë seancave parlamentare ndër vite ka pak debate për akademinë e shkencave. Ato lidhen me detaje të parëndësishme si psh godinat që i përkisnin dhe se si i ishin “grabitur” akademisë  për përdorime private apo shtetërore. Në vitin  2000, deputeti demokrat i kohës, Leonard Demi dhe deputetja socialiste Malbule Çeço do ta çonin debatin për akademinë në një betejë godinash për të shigjetuar se cila parti kishte hequr apo shitur më shumë godina që i përkisnin akademisë së shkencave. Ishte fjala për godinën pranë kryeministrtisë ku ishte vendosur INSTAT, dhe më herët kishte qënë e akademisë së shkencave. Por nuk bëhej fjalë për më shumë se sa kaq, për dinjitetin e nëpërkëmbur të Akademisë së Shkencave në çdo detaj.

Makbule Çeço –Janë sa të thjeshta, aq dhe të ndërlikuara, për arsye se jemi përpara regjistrimit të popullsisë dhe, në qoftë se do të bëjmë një shpërngulje të Institutit të Statistikës, do të krijojmë probleme shumë shqetësuese. Ne po e shikojmë çështjen nga pikëpamja që të mos prishim shtëpi e të bëjmë kasolle.

Leonard Demi – Unë e mirëpres thënien popullore që lidhet me kasollen, por vetë Instituti i Statistikës ndodhet në dy godina, njëra është në rrugën e Kavajës dhe tjetra këtu, pra nuk është i futur në një vend… Makbule Çeço – Zoti Demi, edhe ju duhet ta kishit parashikuar zgjidhjen e këtij problemi në kohën e qeverisjes suaj. Megjithatë, ne jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe shumë të interesuar për ta zgjidhur këtë problem…

Ndërkohë që debati për akademinë shtrohej në rrafsh godinash, buxheti i shtetit sa vinte e ulte shifrat e mbështetjes për akademinë. Psh në vitin 2003 në buxhetin e shtetit u akorduan 50% më pak në  investime në krahasim  me vitin  2002,  duke krijuar shqetësime serioze për punën e këtij institucioni të rëndësishëm. Kështu, mandat pas mandati e vit pas viti, Akademia e Shkencave do të kthehej në godinën e boshatisur nga vlerat në të gjitha kuptimet, larg misionit që i takon një institucioni skencor.

Padyshim që do të vinte një çast si ky kur në krye të Akademisë së Shkencave gjendet një njeri që nuk ka aktivitet shkencor, nuk ka asnjë botim në jetëshkrimin e tij. Një pazarxhi i regjur koridoreve të politikës që e mbylli karrieren me një ndër pazaret më të pista kur shiti logon e partisë. Ky personazh i stazhionuar pazareve 33-vjeçare  të politikës, po kërkon të sigurojë përjetësinë në krye të Akademisë së Shkencave.

Është tipari dallues i politikës e për fat të keq i të gjithë shoqërisë shqiptare, ku askush nuk dëshiron të lëshojë karrigen ku i ka qëlluar të ulet në krye të punëve. Kryetarë partish, drejtues institucionesh të varura e të pavarura, deri edhe drejtues shoqatash të rëndomta duan të vdesin në poste e në shumë raste ta trashëgojnë te pasardhësit e tyre.