Një premtim i mbajtur për 8 vite! Sot inati politik rrezikon të lërë pa mbështetje 6 motra jetime

Ka histori që nuk kanë nevojë për shumë fjalë për të treguar se çfarë do të thotë të mbash një premtim.

Tetë vite më parë, në emisionin “Opinion” u bë publik rasti i gjashtë motrave jetime nga Malziu i Kukësit, të cilat pas humbjes së prindërve u përballën me shumë vështirësi, pa asnjë mbështetje dhe në mes të 4 rrugëve.

Në atë kohë, deputeti Agron Shehaj mori një angazhim publik, për aq kohë sa do të ishte deputet, paga e tij do të shkonte për të ndihmuar vajzat.

Dhe ai premtim nuk mbeti vetëm një deklaratë televizive. Për tetë vite me radhë, paga e Shehajt është përdorur për të mbështetur jetesën dhe shkollimin e gjashtë motrave.

Sot, kjo histori përballet me një tjetër realitet.

Agron Shehaj është përjashtuar prej muajsh në mënyrë të përsëritur nga Kuvendi. Si pasojë e këtyre përjashtimeve, ai nuk përfiton pagën e deputetit, dhe nëse prej tetë vitesh kjo pagë ka qenë mbështetja e vetme për gjashtë motrat jetime, atëherë pasojat do të bien vetëm mbi ato.

Xhaxhai i vajzave, i cili është edhe kujdestari ligjor i tyre, thotë se për 8 vite e vetmja mbështetje ka qenë paga e Shehajt, ndërsa qeveria e Edi Ramës kurrë nuk është kujdesur qoftë në një rast të vetëm, duke mos dërguar as edhe një psikologe.

“Të përjashtosh sistematikisht Agron Shehajn nga Parlamenti, do të thotë t‘u heqësh pagën e tij që shkon prej më shumë se 8 vitesh tek motrat jetime nga Malziu.

E them me përgjegjësinë e plotë si personi që kujdesem ligjërisht dhe moralisht që nga dita e parë për ato vajza ,qeveria e Edi Ramës kurrë nuk është kujdesur qoftë në një rast të vetëm.

Edhe sikur të kishte dërguar një psikologe për 8 vjet, qeveria apo pushteti lokal.  Apo, a ka dërguar në një rast të vetëm ndonjë punonjëse të shërbimit social?

Zero!! Asgjê

Por kjo qeveri që nuk ka asnjë lidhje me humanizmin, i heq edhe mundësinë që një person human ka afruar.  Modelet e tilla ndodhin shumë rrallë, por edhe kur ndodhin ato, duhet ti shtypin me sa të munden. I shtypin sepse nuk ështe modeli që ata duan”, shkruan ai.

Ka shumë gjasa që Agron Shehaj të vazhdojë t’i ndihmojë vajzat edhe nëse nuk merr më pagë nga Kuvendi. Tetë vite mbështetje të pandërprerë lënë të kuptohet se për të kjo nuk ka qenë një çështje page, por një angazhim personal.

Megjithatë, kjo nuk e ndryshon thelbin e situatës. Thelbi është se një seri përjashtimesh të zgjatura nga Kuvendi kanë krijuar një situatë ku mbështetja që prej vitesh shkonte për gjashtë vajza jetime vihet në pikëpyetje.

Ndoshta, ky Parlament duhet të rikthehet edhe pak te humanizmi, duke menduar pak më shumë se sa të përjashtojë çdo deputet të opozitës, sa herë ndodh qoftë edhe diçka e vogël.

Në fund të fundit, mandatet mbarojnë, debatet politike harrohen dhe pushteti ndryshon. Ajo që mbetet është mënyra se si një shoqëri trajton njerëzit që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Në rastin e Shehajt, humbës nuk është ky i fundit, por 6 motra që kanë nevojë për mbështetje, të cilën deri më sot shteti nuk ua ka dhënë, por në vend të shtetit, kanë patur mbështetjen e një njeriu të vetëm, për 8 vite me radhë.