Reagimi në bllok i ambasadave më të rëndësishme në Tiranë pas zjarrit në Parlament që u transmetua në media kryesore botërore, duket se zbulon disa mesazhe të forta të ndërkombëtarëve.
Prej mëse 1 muaji, situata politika vijon e tensionuar në Parlamentin e Shqipërisë. Opozita parlamentare ka kërkuar disa komisione hetimore parlamentare por maxhoranca nuk i miraton me kokëfortësi asnjë prej tyre. Nga ana tjetër, flaka në parlament dhe përfolja e një skenari me grevë urie të shumë deputetëve në sallë e Parlamentit, ka zgjuar ambasadorët kryesore në Tiranë.
Ndonëse kanë shpallur Sali Berishën “non grata”, ndërkombëtarët duket se kanë një mospajtim të hapur me kreun e qeverisë Edi Rama për mos marrjen në konsideratë të asnjë kërkese të opozitës.
Disa deputetë të PD kanë pasur kontakte me ambasadat e huaja dhe janë shprehur se nëse ngrihen komisionet hetimore, atëhere ata janë të gatshëm të lejojnë normalizimin e punimeve të Parlamentit. Por ata kanë paralajmëruar se në rast të kundërt, disa deputetë mund të shkojnë në ekstremitet, deri në grevë urie.
Ky detaj bëri që 4 ambasadat më të rëndësishme të reagojnë dje me një mesazh të qartë duke kërkuar që opozita të rëspektohet në kërkesat e saj.
“Një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”, u shpreh dje ambasada e SHBA-ve për Zërin e Amerikës duke shtuar se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.
Ndërkaq, Ambasada Britanike i bëri “thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”.
Më i drejtpërdrejtë ishte Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.
Në deklaratën e tij, Ambasadori Bergner shprehet se po ndjek me shqetësim, zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë.
“U bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve”, thuhej në deklaratën e tij ndërsa edhe delegacioni i Bashkimit Europian mbajti një qendrim të ngjashëm.
Mesazhi i ndërkombëtarëve për qeverinë është i qartë; lejoni kontrollin parlamentar të qeverisë përmes komisioneve hetimore. Me pak fjalë, duket që ndërkombëtarët janë pro kërkesave të opozitës dhe e shohin realizimin e kërkesës për komisione hetimore si ç’tensionim të situatës.