Një Bashki e zhytur në krim

Arrestimi i Erion Veliajt tregoi përfundimisht se Bashkia e Tiranës prej vitesh ka qenë institucioni më i kriminalizuar në vendin tonë.

Prangosja e kryetarit nxori në pah nivelin e korrupsionit që bëhej në zyrat e atij institucioni, që fillonte nga “koka” e vazhdonte te çdo drejtor apo punonjës që kishte sadopak pushtet.

Grabitja e madhe e miliona eurove të taksapaguesve nisi me aferën e inceneratorit, ku vijojnë të jepen milionat pavarësisht se impiant nuk ka, ndërkohë që SPAK e ka vënë nën sekuestro dhe ka dënuar disa zyrtarë të përfshirë në këtë aferë.

Ndërkohë, nën hetim për inceneratorin duket të jetë edhe Veliaj, pavarësisht se Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me këtë çështje.

Pas inceneratorit, do të dilte skandali “5D” ku të përfshirë ishin disa drejtorë në Bashkinë e Tiranës, njerëz shumë të besuar të Erion Veliajt. Nëpërmjet një skeme korruptive, këta drejtorë tenderat i çonin te kompania e tyre, duke arritur të përfitojnë miliona euro të taksapaguesve.

Sot, ata janë prapa hekurave, në pritje edhe të kryetarit të tyre, i cili do t’u bashkohet dhe do të formojnë sërish një “minibashki në qeli”.

Qershia mbi tortë do të ishte dosja e SPAK për Veliajn, ku Prokuroria e Posaçme zbardhi të gjitha rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave të Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.

Kjo e fundit, falë parave të grabitura me bashkëshortin, dehej në luksin e bizhuterive dhe veshjeve të shtrenjta, aq sa vetëm në 4 vitet e fundit, kishte blerë online mbi 860 mijë euro sende dhe veshje.

Madje, sipas gazetares Klodiana Lala, vetëm një fustan i kishte kushtuar 35 mijë euro. Këtë shumë, një pensionit e merr në 10 vite jetë.

Lexo edhe: SPAK zbardh korrupsionin e Veliajt: Fondet e Bashkisë i kalonin Ajola Xoxës, mbi 860 mijë euro vetëm blerje online, si bëhej pastrimi i lekëve

Kushedi sa miliona euro të tjera do të jenë shpenzuar në pagesa cash apo me karta të të tretëve, për të përmbushur dëshirat luksoze të çiftit Veliaj-Xoxa, që sot në sytë e qytetarëve shihen vetëm si hajdutë të rëndomtë.

Nga dje, në Bashkinë e Tiranës do të jetë e vështirë të vidhet sërish, pasi të gjithë kanë kuptuar se me SPAK nuk bëhet shaka.