“Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani zyrtarizojnë koalicionin për 11 Majin, në negociata edhe me parti të tjera

“Nisma Shqipëria Bëhet” do të quhet koalicioni mes Endri Shabanit të “Nismës Thurje” dhe Adriatik Lapajt të “Shqipëria Bëhet”, që kanë vendosur të garojnë në listë të përbashkët në zgjedhjet e 11 Majit. Gjithashtu pjesë e koalicioni do të jetë edhe Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve.

Drejtuesi i koalicionit do të jetë Adriatik Lapaj, pavarësisht se ai vetë deklaroi se koalicioni do të drejtohet nga një Këshill i anëtarëve të koalicionit, teksa emri i tij si kryetar do të jetë vetëm formalisht.

Gjithashtu ky koalicion mund të zgjerohet edhe me parti të tjera, që nuk duhet të kenë qenë pjesë e rrënimit të Shqipërisë në këto 34 vite, teksa Lapaj deklaroi se ai vetë dhe Endri Shabani do të garojnë në listën e hapur.

“Kemi thënë që s’ka bashkëpunim me asnjë prej subjekteve që kanë përfaqësuar rrënimin e Shqipërisë dhe do bëjmë çdo tentativë për të punuar me subjekte që nuk bartin mëkate të 34 viteve. Dua të theksoj se jemi në negociata dhe deri në fund të afatit koalicionit do t’i bashkohen edhe subjekte të tjera”, u shpreh Lapaj.