Teksa Prokuroria e Posaçme në raportin për vitin 2025 të dorëzuar në Kuvend shprehet se ndryshimet e mundshme ligjore mund të pengojnë punën e tij, kryeministri Edi Rama tha se “nuk është puna e SPAK-ut t’i thotë Parlamentit se çfarë duhet të bëjë Parlamenti”.
Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Rama tha se nuk e ka lexuar raportin, por shtoi se “SPAK të shohë punën e vet, ne tonën dhe aq më mirë do të bëhet Shqipëria.
Më tej shtoi se “Nuk ka shans të ndodhë më në Shqipëri që të çohet një prokuror dhe një gjykatës e të pezullojnë funksionet vitale të qeverisë, të cilat nuk e delegojnë dot punën.
“SPAK-u të shikojë punën e vet, ne tonën. Do bëjmë më të mirën që të bëjmë punën tonë sa më mirë. Detyra e SPAK-ut është të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ka të gjithë mbështetjen tonë. Parlamenti është sovran dhe nuk varet as nga SPAK-u, as nga ambasadat dhe as nga askush tjetër. Këto janë gjëra shumë të qarta.
Raporti i SPAK-ut është raport pune për një periudhë të gjatë kohë, nuk besoj se është i lidhur me javën e fundit. Ai është ndryshim i domosdoshëm që do bëhet dhe do votohet. Nuk ka diskutim. Nuk ka shans të ndodhë më në Shqipëri që të çohet një prokuror dhe një gjykatës e të pezullojnë funksionet vitale të qeverisë, të cilat nuk e delegojnë dot punën. Këtu nuk pezullohet personi, por funksioni. Këtë gjë nuk e kanë ditur prokurori e gjykatësi”- u shpreh Rama.