Ngjarje e rëndë në Orikum, burri dhunon për vdekje gruan, më pas vret veten me pistoletë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Orikum te Vlorës ku burri ka dhunuar për vdekje gruan e tij dhe më pas ka vrarë veten.

Sipas informacioneve paraprake, viktima Sose Xhebroi është dhunuar fillimisht dhe është dërguar në gjendje të rëndë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas ngjarjes, autori Llogora Xhebroi është kthyer në banesë, ku është gjetur i pajetë, pasi dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri në ambientet e garazhit. Pranë trupit të tij është konstatuar një armë zjarri tip Glock dhe një gëzhojë kalibër 9 mm.

Raportohet se cifti kishte pasur probleme gjatë muajve të fundit, teksa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Orikum/Informacion paraprak/ Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.