Një ngjarje tragjike ndodhi në 30 Korrik në Himarë, ku një turiste 33 vjeçare nga Gjermania ndërroi jetë.
Ajo ishte së bashku me të fejuarin në hotelin ku ishin akomoduar, teksa u ndje keq dhe kërkoi ndihmë mjekësore. Ambulanca e Himarës reagoi menjëherë, por gjendja e saj kërkonte ndërhyrje të specializuar urgjente. Për shkak të mungesës së një spitali të mirëfilltë në Himarë, u vendos transportimi me helikopter drejt Tiranës.
Por, helikopteri që mbërriti në Himarë e kishte shumë të vështirë për të gjetur një vend për t’u ulur, pasi qyteti nuk disponon një pistë të dedikuar për uljen e helikopterëve dhe stadiumi, i cili është përdorur më parë për raste të tilla, ndodhet në rikonstruksion.
Më pas u vendos që helikopteri të ulej në Palasë, ndërsa 33-vjeçarja të transportohej me autoambulancë deri atje.
Fatkeqësisht, e reja ndërroi jetë gjatë transportit. Trupi i saj u dërgua në Tiranë, ku pritet të kryhen ekspertizat mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Sipas deklarimeve paraprake të të fejuarit, ajo nuk vuante nga probleme të njohura të zemrës.
Ndërkohë, për disa ditë me radhë nuk ka patur asnjë reagim të Policisë së Shtetit lidhur me këtë ngjarje. Do të duhej publikimi në media i ngjarjes që Policia të reagonte dhe të dilte me një njoftim, ku thuhej se turistes iu dha ndihma dhe ajo ndërroi jetë për shkaqe natyrore.
Por, kjo vonesë e reagimit të Policisë së Shtetit ngre dyshime në lidhje me këtë rast. A iu dha ndihma e nevojshme turistes gjermane? Përse nuk ka një pistë të dedikuar Himara për uljen e helikopterëve, kur dihet se numri i turistëve është shumë i lartë?
Kjo ngjarje është një këmbanë alarmi që tregon se si është në të vërtetë shëndetësia në Shqipëri, por edhe se si institucionet si Policia e Shtetit mundohen të fshehin ngjarje të tilla të rënda.