Nga sot, pezullohet marrëveshja e lëvizjes së lirë në kufirin Kosovë–Shqipëri

Nga data 1 Tetor, pezullohet marrëveshja e lëvizjes së lirë me kufirin Kosovë-Shqipëri. Mësohet se nga kjo e mërkurë dhe deri në fillim të Nëntorit, marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës do të pushojë së funksionuari. 

Në këtë periudhë, pikat kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë do të kryejnë përpunimin e të dhënave të udhëtarëve dhe drejtuesve të automjeteve përmes një procedure të përshpejtuar, me qëllim që të shmangen radhët dhe pritjet e gjata për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve.

Megjithatë, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, qytetarët që udhëtojnë me automjete me targa të Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojnë të kalojnë pa kontrolle kufitare.

Që prej datës 1 Maj dhe deri në 30 shtator, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë lëvizur pa kontrolle kufitare.

Marrëveshja u nënshkrua një vit më parë mes dy qeverive duke mundësuar qarkullim të lirë pa pasaportë apo kartë identiteti. 

Kjo marrëveshje lehtëson ndjeshëm lëvizjen gjatë sezonit turistik dhe parashikon një total prej nëntë muajsh në vit me qarkullim të lirë.