Nga Ramiz Alia te Edi Rama, socialistët në 32 vjet

“S’ka më PPSH, tani jemi një forcë tjetër politike dhe jemi partia Socialiste e Shqipërisë”, ishte thelbi i fjalimit te parulla që drejtuesit e kongresit të 10 të PPSH lëshuan për 1500 delegatët komunistë të kongresit. Përballë delegatëve në podium vazhdonte të qëndronte busti i diktatorit Enver Hoxha.

Atë natë të 12 qershorit 1991 po tentohej të mbyllej historia e përgjakshme e Partisë së Punës së Shqipërisë, e drejtuar nga diktatori përmes politikës gjakatare të zhdukjes së kundërshtarëve duke prodhuar herë pas here “grupe armiqësore”, deri në ngushtimin ekstrem të të gjitha lirive të individit në Shqipëri.

E përfundoi sundimin me një bilanc tragjik të viktimave të komunizimit në dhjetor të vitit 1990 kur sistemi komunist në Shqipëri, u rrëzua përmes protestave të Lëvizjes Studentore. Në atë kohë ishte në krye të PPSH-së, Ramiz Alia. Lideri i fundit komunist në krye të partisë shtet, detajoi me kujdes ndryshimet që i duheshin partisë në kushtet e pluralizimit politik, qoftë në emrin e ri të saj, qoftë në lidership. Fatos Nano u zgjodh kryetar i partisë së riemëruar Partia Socialiste dhe një grup drejtuesish të tjerë të rinj, që i përkisnin niveleve të dyta e të treta të qeverisjes komuniste.

Brenda pak vitesh, Partia Socialiste do të reformohej për t’u kthyer në një parti brenda së cilës lejohej mendimi ndryshe dhe kundërshtarët nuk vriteshin siç kishte ndodhur në historinë e kësaj partie. Fatos Nano e drejtoi PS-në për 14 vite, katër prej të cilave ishte në burg. Gjatë këtyre viteve, PS qëndroi pesë vjet në opozitë dhe nëntë të tjera në pushtet.

Gjatë kësaj kohe nuk u ndal lufta për pushtet e përqëndruar mes grupit të Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Kjo betejë përfundoi në janar të vitit 2004 kur Ilir Meta u largua bashkë me një grup deputetësh dhe themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo ndarje ishte edhe një ndër arsyet e humbjes së PS-së në zgjedhjet parlamentare të korrikut të vitit 2005. Pas humbjes, Fatos Nano dha dorëheqjen nga post i kryetarit të PS-së dhe në vend të tij, u zgjodh Edi Rama. Ai do t’i jepte PS-së një fytyrë krejt të ndryshme nga ajo që kishte kur drejtohej nga Fatos Nano. Ndryshimet thelbësorë të Ramës në krye të PS-së nisin me vitin 2007. Më 9 prill 2007 u mblodh kongresi i PS mbi bazën e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, dalë nga mbledhja e KPD së 13 marsit. Sipas parimit “një anëtar, një votë”, më 12 maj u rizgjodh Edi Rama kryetar i PS, përballë kandidatit formal Shkëlqim Meta.

Më 12 maj u zgjodhën sipas parimit “një anëtar, një votë” edhe delegatët e kongresit, si dhe kryetarët e PS-së në bashki e komuna. Në kongresin e 2 qershorit 2007, u miratuan edhe ndryshimet në statutin e partisë. Sipas këtyre ndryshimeve, sekretari i përgjithshëm pushon së ekzistuari si funsksion dhe kompetencat e tij i merr kryetari i Asamblesë Kombëtare. Sipas statutit të ri, kongresi rritej në numër nga 650 delegatë në 1500 delegatë, bëheshin 150 anëtarë asambleje dhe në çdo forum 50% duhet të ishin gra. Në nivel lokal, PS iu shtuan zyrtarë të rinj. Në çdo qark u zgjodh një sekretar qarku dhe një nënsekretar. Me sloganin “ndarje me politikën e vjetër”, kongresi i 2 qershorit bëri “pastrimin” e partisë nga ata që për momentin ishin kundërshtarë të Ramës në PS. U zgjodh Asambleja e re Kombëtare dhe sekretarët e rinj. Në Asamble dhe në Kryesi u zgjodhën shumë të rinj, që vinin edhe nga OJF dhe Bashkia e Tiranës.

Figurat e rëndësishme të PS filluan të ndjenin humbjen e influencës, por një nga më të njohurit dhe më të hershmit e radhëve të PS, Gramoz Ruçi, ishte gjithnjë aty, me krye të forumeve drejtuese socilaiste. Mbetën brenda forumeve edhe të tjerë si Majko, Xhafa, Fino, Klosi e të tjerë, por me një peshë shumë të vogël në vendimarrjen e partisë. Dalëngadalë në tetë vite ata u zëvëndësuan me Erjon Veliajn e shokët e tij të lëvizjes “Mjaft”.

Rilindja

Pas një periudhë të gjatë spastrimesh të individëve që mendonin ndryshe nga kryetari, PS e vitit 2013 ishte partia që i duhej Edi Ramës për të bërë aleancë me Ilir Metën e LSI-së. 

Më 1 prill të vitit 2013, rreth tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, ndodhi ajo që dukej se kurrë nuk do të kishte gjasa të ndodhte. Edi Rama e Ilir Meta shpallën koalicionin e tyre nën sloganin “Rilindje”. Ata lanë pas akuzat ekstreme mes tyre dhe u bashkuan për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit me një mazhorancë prej 83 deputetësh, brenda së cilës kishte gjithëfarlloj. Aleanca Rama-Meta zgjati një mandat për t’iu rikthyer armiqësive. Rama fitoi i vetëm me PS-në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Në këto zgjedhje ai spastroi një pjesë tjetër të socialistëve të hershëm duke shtuar njëherësh individë pa lidhje me historinë e PS-së. Në zgjedhjet e vitit 2021, Rama tentoi të largonte nga grupi parlamentar edhe ish-drejtues të rëndësishëm socilaistë si Pandeli Majko e Fatmir Xhafa por edhe Mimi Kodheli, por ata u rilkthyen për shkak të largimeve të deputetëve të listës së Ramës, të cilët rezultuan me të shkuar kriminale apo deputetë që u larguan për arsye të tjera.

Sot Partia Socilaiste feston 32-vjetorin e themelimit. Janë të pakët elementet që i përngjajnë dy kohëve, 12 qershorit 1991 dhe 12 qershorit 2023. Në Partinë Socialiste është harruar “debati”, nuk ka më asnjë ngjashmëri me Partinë Socilaste të drejtuar nga Fatos Nano. Ndoshta ka ngjashmëri me PPSH-në e Ramiz Alisë ku çdo anëtar “mendonte” si udhëheqësi. Sot askush në PS nuk guxon më të mendojë ndryshe nga Edi Rama sepse prej 10 vitesh, kjo parti fiton çdo proces zgjedhor edhe pse të kontestuara për shkak të akuzave për shit-blerje të votave.