Gjykata e Apelit la ditën e djeshme në fuqi dënimin me 1 vit burgim për deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë”, lidhur me rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Vendimi u shpall nga trupi gjykues me relatore Elona Toro dhe anëtarë Iliba Bezati dhe Genti Shala. =
Salianji deklaroi dje se avokati I tij kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtares Iliba Bezati, e cila është kunata e motrës së zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe nuk është marrë parasysh nga gjykata.
Për gjyqtarin tjetër Salianji tha se ai del në përgjimet e Sky ECC dhe se ka qenë gati të bëjë gjithçka për të shkuar në Gjykatën e Lartë.
Por, kush janë tre verdikdhënësit e seancës së djeshme?
Genti Shala:
Gjyqtari u konfirmua me vështirësi në detyrë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në gusht të 2020. Për 12 denoncime të kryera nga publiku, relatorja e tij tha se një pjesë e tyre ishin të përsëritura dhe se shpjegimet e dhëna prej subjektit do të vlerësoheshin gjatë vendimmarrjes përfundimtare. Por sigurisht ato nuk u morën parasysh.
Në seancën e fundit në KPK u konstatua se gjyqtari i Apelit nuk kishte deklaruar pronësinë e një apartamenti në vitin 2003 dhe shitjen tij një vit më pas. Por ky problem me pasurinë nuk është marrë parasysh nga komisioni.
Shala e ka filluar karrierën e tij si gjyqtar, në vitin 1999, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2006 ai është emëruar anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, post që e ka mbajtur deri në vitin 2008. Në vitin 2010, Shala është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, funksion që e ka edhe sot.
Elona Toro
Gjyqtarja Elona Toro është konfirmuar në detyrë në shkurt të 2023. Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin por Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi ta konfirmojë në detyrë. Në vendimin e ankimimit, Komisioneri Publik kërkonte që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të rihapte hetimin gjyqësor, pasi sipas tij konfirmimi në detyrë nuk arrinte nivel të besueshëm.
Toro (Stavri) rezultoi me pasuri familjare të pambuluar nga burimet e deklaruara në vlerën e 6.4 milionë lekëve. Diferenca negative lidhet me shlyerjen e një detyrimi prej 80 mijë eurosh për blerjen e një apartamenti me burim një kredi bankare prej 5 milionë lekësh.
Një tjetër “flamur i kuq” i evidentuar nga analizat cilësore të pasurisë lidhet me dhuratat në cash të përfituara nga të afërmit; 10 mijë euro në vitin 2011 dhe 8 mijë euro në vitin 2014. Ndërsa në vitin 2009, subjekti deklaron shitjen e një apartamenti në bashkëpronësi me babanë në vlerën e 5.8 milionë lekëve, aset i cili nuk rezulton të jetë deklaruar më parë.
Elona Toro e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për 16 vjet pranë Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2016, u emërua gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës. Ajo është gruaja e Alban Toros i cili është anëtar i KLGJ.
Në mesin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë në 2020 binte në sy edhe emri i gjyqtares Toro, e cila synote një post në gjykatën supreme. Në fakt, kandidimi i saj nuk do të përbënte lajm, por në rastin e kësaj gjyqtareje kishte dy probleme themelore.
Së pari, Elona Toro ende nuk e kishte përmbyllur përballjen me procesin e vetingut. Ajo ishte konfirmuar me shumicë votash në shkallë të parë, por anëtarja e KPK-së, e cila doli në pakicë ngrinte një sërë pikëpyetjesh për pasurinë e saj.
Problemi i dytë që është në fakt, thelbi në këtë proces, ishte bashkëshorti i gjyqtares.
Alban Toro është anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucion që do të vendoste për fatin e gjyqtares Elona Toro nëse do ta propozojë atë duke e emëruar në Gjykatën e Lartë.
Iliba Bezati
KPK vendosi më 1 mars 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë, Iliba Bezati, pasi rrëzoi dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën. Komisioni vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa paraqiti në Kolegj kundërshtimet e tij ndaj konkluzioneve të arritura nga Komisioni në analizën financiare të pasurisë së gjyqares Iliba Bezati, duke paraqitur vlerësime të ndryshme për një pjesë të tyre.
Komisioneri Ballhysa vlerësoi se konkluzionet e Komisionit nuk bazoheshin në një hetim të plotë. Ai i kërkoi Kolegjit që të vlerësojë ligjshmërinë e dhurimeve në vlera të konsiderueshme që kanë shërbyer për krijimin e pasurive dhe të një vendimi të Apelit Vlorë të rrëzuar nga Gjykata e Lartë, si dhe të vendoste në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK për Bezatin.